Afati kalimtar në basketbollin e Kosovës ishte mjaft i bujshëm, ndërsa shumë lojtarë u rikthyen në skuadrat që dikur ishin pjesë e rëndësishme.
Njëri ndër ta është edhe Art Hajdari, i cili u rikthye te Peja. Ai në fillim ka folur për përgatitjet me verdhezinjtë. “Në stërvitje jemi duke u angazhuar maksimalisht. Deri më tani kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore, që do të na shërbejnë për tu komponuar sa më mirë për edicionin e ri”, ka thënë Hajdari për faqen zyrtare të FBK-së.
Ky kampionat pritet të jetë shumë interesant, ku të gjitha skuadrat janë përforcuar. “Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që të arrijmë qëllimet tona. Kemi bërë një punë të mirë në përgatitje dhe kjo të na ndihmoj në edicionin e ri, që është në prag tw fillimit. Të gjitha skuadrat kanë bërë përforcime dhe po pritet një garë shumë interesante në elitë. Me ndihmën e tifozëve besoj se mund të arrijmë qëllimet tona”, shtoi tutje ish-basketbollisti i Ponte Prizrenit.
Peja në fundjavë do të nisë garat me ndeshjen derbi ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet. “Do të ketë shumë ndeshje interesante dhe derbi. Asnjë ndeshje nuk do të jetë e lehtë, andaj duhet të japim maksimumin në çdo takim”, theksoi Hajdari.
Edicionin e kaluar Peja kishte fituar Ligën Unike.