Peja ka shënuar fitoren e tretë në këtë edicion, duke mundur me përmbysje kampionin, Golden Eagle Yllin me rezultat 73:57 (11:21, 13:9, 25:19, 24:8), në xhiron e tretë të elitës.
Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, me një seri prej 2:10, e më pas duke e thelluar edhe më shumë epërsinë, në 6:21, ndërsa çereku i parë përfundoi 11:21. Vendasit dalëngadalë u rikthyen në periudhën e dytë, për të ngushtuar shifrat, edhe pse kjo pjesë u karakterizua me shumë pak pikë të shënuara, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 24:30.
Kampionët e Kosovës në periodën e tretë kishin epërsi deri në nëntë pikë, 29:38, por pejanët sërish u rikthyen, duke u zhvilluar një lojë e barabartë dhe rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 49:49. Dhjetë minutat e fundit ishin vendimtare. Pejanët këtë pjesë e nisën furishëm me një seri prej 13:1 dhe thelluan epërsinë me kalimin e minutave, duke triumfuar 73:57.
Te Peja u dallua Bradly Waldow me 15 pikë dhe 13 kërcime, kurse te Ylli u dallua Henrik Sirko me 16 pikë e tetë kërcime.