Në një ndeshje interesante dhe me kthesa, Ponte Prizreni ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 93:101 (18:23, 14:32, 37:16, 24:30), në xhiron e tretë të Prince Caffe Superligës.
Ponte Prizreni për një nuancë ishte më i mirë se Bashkimi, duke e fituar çerekun e parë 18:23. Ponte dominoi totalisht në periudhën e dytë, sidomos me sulme të suksesshme, duke u shkëputur në 23 pikë, sa ishte rezultati pas pjesës së parë, 32:55.
Por, atë që e bëri Ponte në periudhën e dytë, e bëri Bashkimi në periodën e tretë, duke bërë një rikthim sensacional në rezultat dhe duke afruar shifrat në 69:71, sa ishte rezultati pas 30 minutash lojë. Megjithatë, në dhjetë minutat e fundit, Ponte krijoi epërsi, që e ruajti deri në fund, duke triumfuar 93:101.
Te Bashkimi u dalluan Altin Morina me 19 pikë e shtatë asistime dhe Fahro Alihoxhiq me 21 pikë e tetë kërcime, kurse te Ponte u dalluan Wayne Arnold me 33 pikë dhe Urim Zenelaj me 13 pikë e 11 kërcime.
Të dy skuadrat kanë nga një fitore e dy humbje.