Ponte Prizreni ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 98:82 (24:11, 23:14, 29:24, 22:32), në xhiron e katërt të Prince Caffe Superligës. Për Yllin, kjo ishte humbja e katërt në katër ndeshje.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, me një epërsi prej pesë pikësh, 10:5, që shkuan duke e shtuar atë dhe çerekun e parë e fituan bindshëm 24:11, ku shkëlqeu Dashon Burke në fund të kësaj pjese. Prizrenasit vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, duke e thelluar epërsinë, ku shkuan në pushim me rezultat 47:25.
Epërsia më e lartë ishte 30 pikë, 59:29 për vendasit, që u krijoi komoditet për vazhdim të ndeshjes, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 76:50. Kampioni tentoi të rikthehet në dhjetë minutat e fundit, por ishte tepër e vështirë dhe pësuan humbjen e katërt në katër ndeshje të zhvilluara, derisa rezultati përfundimtar ishte 98:82, ndërkohë, prizrenasit kanë dy fitore e dy humbje.
Te Ponte Prizreni u dalluan Wayne Arnold me 28 pikë e nëntë kërcime, Ivan Koljeviq me 17 pikë e 13 kërcime dhe Dachon Burker me 30 pikë, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Valon Bunjaku me 17 pikë e tetë kërcime, Henrik Sirko me 19 pikë e pesë kërcime dhe Bashir Ahmed me 26 pikë.