Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, njëherësh edhe anëtar i Këshillimit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës e Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive dhe Vlora Braha, Person për Integritet në FBK (SPOC-Single Point of Contact for Integrity) do të marrin pjesë në Punëtorinë rajonale "Integriteti në Sport", që organizohet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe INTERPOLI prej 4 deri më 6 tetor në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
IOC dhe INTERPOLI do të vazhdojnë implementimin e Projektit Global të Ndërtimit të Kapaciteteve dhe Trajnimit për të forcuar aftësitë operacionale rreth manipulimit të konkurrencës dhe korrupsionit në sport. Kjo Punëtori organizohet për të forcuar zbatimin e ligjit në qeveritë dhe organizatat sportive. Në këtë ngjarje janë të ftuar edhe delegacionet e përzgjedhura nga vendet e Ballkanit.
Punëtoria do të ofrojë një forum për shkëmbimin e njohurive mbi temën e manipulimit të garave sportive, të identifikojë rolet dhe përgjegjësitë e autoriteteve, të zbatimit të ligjit dhe organizatat sportive, dhe të vendosin bashkëpunim ndërmjet këtyre palëve të interesuara në nivel kombëtar dhe rajonalisht.