Sot (e mërkurë) është nënshkruar marrëveshja zyrtare ndërmjet Ligës Unike dhe KBF Bashkimit për organizimin e Superkupës Mbarëkombëtare te femrat.
Kjo ngjarje do të organizohet më 26-27 tetor në qytetin historik dhe të bukur të Prizrenit.
Në këtë event do të marrin pjesë kampionët dhe fituesit e Kupave të Kosovës dhe Shqipërisë: Bashkimi i Prizrenit, Penza e Pejës, Flamurtari i Vlorës dhe Partizanit i Tiranës.
Kjo është hera e parë që një ngjarje e tillë mbahet në Kosovë, ndërsa në edicionin e parë kishte triumfuar Penza e Pejës në Vlorë.
Anëtarja e Bordit Drejtues të Ligës Unike, Elvira Dushku është shprehur se organizimi pritet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.
“Pas organizimit fantastik të Superkupës Mbarëkombëtare te meshkujt, organizimi edhe te femrat do të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm. Do të ketë spektakël të basketbollit te femrat. Presim që të ketë shumë tifozë te femrat, por edhe ceremonia hapëse dhe mbyllëse do të mbahet mend për një kohë të gjatë. Në ngjarjen ku marrin pjesë kampionët e fituesit e Kupave të Kosovës dhe Shqipërisë, besojmë se, do të ketë ndeshje të bukura në parket dhe spektakël të paparë te femrat”, ka thënë Dushku.
Ndërkohë, Rrahman Përteshi, kryetar i klubit të Bashkimit është shprehur se janë të nderuar që kjo ngjarje po mbahet në qytetin e tyre. “Për ne është nder dhe kënaqësi që kjo ngjarje madhore e basketbollit shqiptar do të mbahet në qytetin tonë. Kjo njëherësh është edhe obligim për ne, që ta organizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve prizrenas që të vijnë në numër sa më të madh për këtë ngjarje të vecantë. Është hera e parë që mbahet në Kosovë, përkatësisht në qytetin e Prizrenit dhe duam që të kujtohet për një kohë të gjatë”, është shprehur Përteshi.
Në gjysmëfinale do të përballen Flamurtari-Partizani dhe Bashkimi-Penza më 26 tetor, ndërsa më 27 tetor do të zhvillohet finalja e madhe.