Një ndeshje dramatike u zhvillua në kryeqytet, ku Sigal Prishtina mundi Ponte Prizrenin me shifrat 90:88 (23:21, 23:26, 26:17, 18:24) në xhiron e shtatë të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll.
Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë, me vendasit që për një nuancë ishin më të mirë, por pa arritur të shkëputen dhe kjo pjesë përfundon 23:21. Në periodën e dytë ndodhi e kundërta e të parës, ku mysafirët ishin për një nuancë më të mirë, duke e bërë ndeshjen interesante dhe të barabartë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 46:47.
Por, pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë vendasit e nisën fuqishëm, duke krijuar epërsi deri në 13 pikë, 67:54, megjithatë prizrenasit paksa e zbutën këtë epërsi dhe shifrat pas 30 minutash ishin 72:64. Mysafirët e nisën furishëm periodën e katërt me një seri të suksesshme, duke barazuar rezultatin në 73:73, por tetë pikë radhazi nga Dardan Berisha inspiruan kryeqytetasit, megjithatë dramë u zhvillua deri në sekondat e fundit, pasi prishtinasit kishin epërsi 89:80, por që ngushtohet minimalisht nga prizrenasit në 89:88, ndërkohë që ndeshja përfundon 90:88 edhe pse mysafirët e kishin mundësinë në aksionin e fundit, por nuk e shfrytëzuan.
Te Sigal Prishtina u dalluan Dustin Thomas me 16 pikë e 17 kërcime, Dardan Berisha me 24 pikë dhe Jan Palokaj me 21, kurse te Ponte Prizreni më të mirët ishin Meriton Ismaili me 22 pikë e 12 kërcime dhe Urim Zenelaj me 12 pikë e 14 kërcime.
Prishtinasit kanë pesë fitore e dy humbje, ndërsa prizrenasit tri fitore e katër humbje.