Bashkimi ka shënuar fitoren e tretë në këtë edicion nga tri ndeshje të zhvilluara. Skuadra prizrenase ka mundur Prishtinën me shifrat 75:65 (19:14, 19:13, 16:25, 21:13).
Ndeshja ka qenë interesante, ku në pjesën e parë, vashat prizrenase ishin më të mira, duke e fituar 38:27, por prishtinaset rikthehen në periudhën e tretë, duke e bërë ndeshjen më interesante, ndërsa në dhjetë minutat kur u vendos ndeshja, fitueset e Kupës dhe Superkupës së Kosovës ishin më të mira, duke shënuar fitoren e tretë këtë edicion dhe ia shkaktuan humbjen e parë prishtinaseve pas dy fitoreve.
Më të dalluarat ishin Arbnore Përquku me 23 pikë, shtatë pikë e shtatë kërcime dhe Sara Vraniqi me 18 pikë e katër kërcime, kurse te Prishtina u dallua Sarah Mgbeike me 17 pikë e 21 kërcime.
Kampionia e Kosovës, Penza mundi United Basketball me shifrat 66:49. Skuadra pejane ka dy fitore e një humbje, kurse ajo gjilanase një fitore e dy humbje.
Te skuadra verdhezi u dallua Antoniette Thompson me 26 pikë e 11 kërcime, kurse te ajo mysafire, Anita Grainca me tetë pikë e 12 kërcime.
Trepça ka shënuar fitore shumë të vlefshme, duke mundur Vëllaznimin me rezultat 68:52. Për mitrovicaset ishte fitorja e parë, kurse për vashat kuqezi humbja e tretë. Te mitrovicaset u dallua Keaunna Johnson me 30 pikë e nëntë kërcime dhe Blerta Mehana me 16 pikë e 12 kërcime, kurse te skuadra mysafire, kapitenia Rina Hoda me 26 pikë.