Bashkimi ka vazhduar me fitore në Superligën e Femrave, duke regjistruar fitoren e gjashtë në po aq ndeshje, njëkohësisht skuadra e vetme pa humbje.
Prizrenasit kanë fituar derbin ndaj Penzës në udhëtim me shifrat 59:71 (19:20, 11:24, 11:17, 18:10).
Në fakt çereku i parë ishte i barabartë, ku rezistuan vashat pejane (19:20), por në atë të dytë, skuadra prizrenase ishte shumë më e mirë, duke shkuar në pushim me shifrat 30:44.
Lideret ishin më të mira se kampionet aktuale, për të thelluar edhe më shumë epërsinë në periodën e tretë, ku rezultati pas 30 minutash ishte 41:61. Mysafiret menaxhuan epërsinë dhe nuk lejuan tu rrezikohej fitorja, duke fituar 59:71, që ishte fitorja e dytë ndaj Penzës këtë edicion në Superligën e Fermave, ndërkohë që vashat pejane kanë tri fitore e tri humbje.
Antoinette Thompson ishte më e mira te Penza me 19 pikë e dhjetë kërcime, ndërsa Arbnore Përquku te Bashkimi me 14 pikë, 12 kërcime e dhjetë asistime.