Peja u tregua më e vëmendshme në momentet vendimtare dhe fitoi përballjen ndaj Rahovecit në udhëtim me shifrat 78:94 (29:25, 22:18, 11:21, 16:30), në xhiron e 14-të të Prince Caffe Superligës.
Shtatë minutat e para të ndeshjes ishin të barabarta, por më pas Vreshtarët kishin epërsi deri në shtatë pikë, 29:22, ndërsa çereku i parë përfundon 29:25. Në periudhën e dytë, vendasit kishin një epërsi të lehtë, ndërsa në fund të kësaj pjese u shkëputën për dhjetë pikë epërsi, 51:41, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 51:43.
Rikthimi i pejanëve filloi nga periudha e tretë ku shkrinë tërësisht epërsinë e vendasve dhe rezultati pas 30 minutash ishte 62:64. Në dhjetë minutat e fundit, verdhezinjtë ishin bindshëm më të mirë, duke pasur epërsi deri në 15 pikë, ndërsa rahovecasit përkundër tentimeve për të përmbysur rezultatin nuk ia arritën qëllimit dhe Peja triumfoi 78:94.
Te Rahoveci më i miri ishte Jahi Carson me 18 pikë e gjashtë asistime, kurse te Peja u dalluan Arian Qallaku me 18 pikë e gjashtë kërcime dhe Isiah Umipig me 18 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.
Vreshtarët kanë dy fitore e 12 humbje, kurse pejanët kanë 11 fitore e tri humbje.