Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në kuadër të Planit të Veprimit për vitin 2023 do të vazhdojë ti kushtojë rëndësi të madhe mbrojtjes së integritetit të sportit, në këtë rast basketbollit dhe këtë do ta bëjë në bashkëpunim me grupet e saj të interesit.
FBK planifikon që gjatë vitit 2023 të organizojë kampanja vetëdijësuese në luftën kundër dopingut, luftën kundër bastëvënies dhe manipulimit të ndeshjeve, si dhe luftën kundër sjelljeve abuzive.
FBK në bashkëpunim me FIBA-n do të organizojnë seminare vetëdijësuese për zyrtarë të klubeve, trajnerë, lojtarë/e për sensibilizimin e tyre në luftën kundër dukurive negative në sport, pra dukurive që e vënë në dyshim integritetin e sportit në tërësi. Krahas FIBA-s, FBK do të bashkëpunojë edhe me organizata tjera sportive e jo sportive në vend e rajon në luftën kundër dukurive negative në sport.
Duhet theksuar se FBK në koordinim me FIBA-n në vitin 2022 e ka emëruar edhe Zyrtaren për Integritet në Sport, derisa në vitin 2021, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, e ka përfunduar programin e FIBA-s, të quajtur SWISH që ka qenë i fokusuar në fuqizimin e integritetit në sport në Federatat Nacionale. Në vitin 2022 gjithashtu me sukses e ka kryer programin për integritet në sport edhe basketbollisti Erjon Kastrati (FIBA Europe SWISH +) në cilësinë e Ambasadorit nga FBK, si dhe gjatë vitit të kaluar FBK e ka angazhuar në punë me orar të plotë edhe Këshilltaren Ligjore për Sport.
FBK në 2022 ka nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi me Sportradar, ku kjo e fundit do të bëjë monitorimin e ndeshjeve që zhvillohen në kuadër të FBK-së nëpërmjet Sistemit Universal të Zbulimit të Mashtrimit ("UFDS"), metodë kjo tejet e sofistikuar për të siguruar zbulimin e bastvënësve apo atyre që synojnë të bëjnë manipulimin e ndeshjeve.
Ndërkaq në pjesën e dytë të vitit 2022, FBK e ka miratuar Rregulloren e Anti-Dopingut dhe Kodin Etik, të dy këto dokumente shumë të rëndësishme për ruajtjen e integritetit në sport, dhe të cilat janë harmonizuar me aktet normative të FIBA-s, më saktësisht Rregulloren e Anti-Dopingut të FIBA-s, dhe Kodin Etik të FIBA-s.
“Misioni i FBK-së është të paraqesë basketbollin si një lojë plotë pasion, të shëndetshme dhe pa sjellje abuzive dhe praktika joetike të çdo lloji. FBK është duke punuar në ngritjen e strukturave, proceseve, programeve dhe kampanjave, për të ruajtur integritetin në gara dhe brenda organizimit të saj.
Përveç organizimit të garave, ku FBK është përgjegjëse për mbarëvajtjen e tyre, ne do të punojmë në atë drejtim që të ruajmë edhe integritetin e garave, por edhe të organizatës në tërësi. Kjo është shumë e rëndësishme për komunitetin e basketbollit dhe ne jemi të vendosur që të gjithë së bashku të punojmë për të luftuar në parandalimin e këtyre dukurive negative.
Tashmë kemi krijuar struktura brenda FBK-së për integritet në sport dhe gjatë vitit 2023 fokusi do të jetë në organizimin e kampanjave vetëdijësuese, seminareve për grupe të interesit, sepse misioni ynë është që të angazhohemi maksimalisht për një sport të pastër”, ka deklaruar për faqen zyrtare të FBK-së, Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.