Golden Eagle Ylli ka vazhduar me fitore, duke regjistruar të 14-tën me radhë pas katër humbjeve që kishte në fillim dhe tashmë është lider në Prince Caffe Superligë me 14 fitore e katër humbje. Ylli në udhëtim ka mundur Rahovecin 70:99 (19:21, 22:23, 9:25, 20:30), në ndeshjen e mbetur të javës së 15-të, ku Vreshtarët luajtën me shumë mungesa, ndërsa ndodhen në vendin e fundit me dy fitore e 16 humbje.
Në çerekun e parë kampionët krijuan epërsi 13:21, por gjashtë pikë radhazi bën që kjo pjesë të përfundojë 19:21. Therandasit në periodën e dytë kishin epërsi prej 11 pikësh, 22:33, por vendasit u rikthyen shpejt për të barazuar rezultatin në 35:35, kurse pjesa e parë përfundon 41:44.
Ylli tregoi forcën në pjesën e dytë, duke mos lëshuar pe dhe ngriti epërsinë minutë pas minute, duke e fituar ndeshjen 70:99.
Te vendasit u dalluan Edmond Kryeziu me 23 pikë dhe Visar Ejupi me 18 pikë e nëntë kërcime, kurse te mysafirët u dalluan Malcolm Armstead me 12 pikë, shtatë kërcime dhe 11 asistime, Rashun Davis me 23 pikë e gjashtë kërcime dhe Chris Harris me 17 pikë e nëntë kërcime.