Fundjava do të dhurojë super ndeshje në Prince Caffe Superligë, përkatësisht javën e 20-të.
Ndeshja kryesore do të zhvillohet ndërmjet Trepcës dhe Golden Eagle Yllit apo nënkampionit dhe kampionit aktual të Kosovës. Mitrovicasit kanë pasur luhatje gjatë këtij edicioni, ku numërojnë dhjetë fitore e nëntë humbje, ndërsa therandasit pasi nuk e nisën mirë kampionatin me katër humbje, tani kanë 15 fitore radhazi, duke qenë liderë në renditje. Në këtë edicion në elitë, kampionët kanë dy fitore ndaj nënkampionit. Takimi në Mitrovicë pritet të jetë shumë interesant.
Sfida e parë do të zhvillohet ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit, ku të dy skuadrat kanë shtatë fitore e 12 humbje, andaj do të jetë shumë e rëndësishme për të dy skuadrat që duan të jenë pjesë e “Play-off”-it.
Të dielën ndeshen dy skuadrat me traditë në basketbollin e Kosovës, Bashkimi dhe Peja. Prizrenasit kanë tetë fitore e 11 humbje, ndërsa pejanët 13 fitore e gjashtë humbje.
Ndeshja e fundit e kësaj jave është ndërmjet Rahovecit dhe Sigal Prishtinës. Vreshtarët janë në vendin e fundit me vetëm dy fitore e 17 humbje, kurse prishtinasit kanë ngritje të formës në ndeshjet e fundit, ku numërojnë 14 fitore e pesë humbje deri më tani, duke u pozicionuar në vendin e dytë në tabelë.
Prince Caffe Superliga-Java 20
E shtunë
17:00 Ponte Prizreni – Vëllaznimi
19:00 Trepça - Golden Egle YLLI
E diel
17:00 Bashkimi - Peja
19:00 Rahoveci - Sigal Prishtina