Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka filluar kampanjën Anti-Doping në të gjitha klubet e ligave seniore.
Të hënën (dje) janë vizituar klubet e Penzës, Happy Dukagjini, Borea, Istogu dhe New Basket, ndërsa gjatë kësaj jave do të vazhdohet me klubet tjera. Para lojtarëve/lojtareve kanë folur, Vlora Braha, Zyrtare për Integritet, Adriatik Rraci Menaxher i Përfaqësueseve të Kosovës, Rrezarta Kqiku, Asistente Ekzekutive dhe Enea Hajdari, Këshilltare Ligjore.
Në pika të shkurta dhe bashkëbisedim me lojtarët/lojtaret është treguar se çka është Dopingu, përgjegjësitë e lojtarit, pasojat, procesi i dopingut dhe substancave të palejuara.
Të gjithë klubet e kanë mirëpritur këtë kampanjë, e cila sipas tyre është në të mirë të vet skuadrave.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka marrëveshje me Agjencinë e Anti-Dopingut për Kosovë (KosADA) nga viti 2022.
Gjithashtu FBK është përkujdesur që në fillim të këtij viti të shpërndajë listën e WADA-s me substanca dhe metoda të ndaluara 2023 te të gjithë klubet e basketbollit.