Fundjava do të sjellë ndeshjet e javës së 21-të në Prince Caffe Superligë, apo rrethi i tretë i garave të elitës.
Takimi i parë do të zhvillohet ndërmjet Pejës dhe Rahovecit. Pejanët kanë pasur një rënie në xhirot e fundit, sidoqoftë, renditen në vendin e tretë me 13 fitore e shtatë humbje, kurse Vreshtarët janë në vendin e fundit me dy fitore e 18 humbje. Verdhezinjtë shihen favoritë për këtë duel, që është si parapërgatitje para duelit çerekfinal në Final 8 Kupën e Kosovës në basketboll.
Dueli i dytë i ditës së shtunë do të jetë mes Vëllaznimit dhe Trepcës, që po ashtu do të përballen në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Kuqezinjtë në elitë kanë tetë fitore e 12 humbje, ndërsa mitrovicasit numërojnë 11 fitore e nëntë humbje.
Të dielën do të zhvillohen dy duele mjaft interesante. Golden Eagle Ylli që u ndal pas 15 fitoreve radhazi do të përballet me Bashkimin, që ka ngritje të formës, andaj pritet një ballafaqim shumë interesant në Therandë. Therandasit kanë 15 fitore e pesë humbje, ndërsa prizrenasit nëntë fitore e 11 humbje.
Ndeshja e fundit e kësaj xhiro është ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Ponte Prizrenit. Bardhekaltrit kanë 15 fitore e pesë humbje, kurse prizrenasit kanë shtatë fitore e 13 humbje. Sfida është e rëndësishme për të dy skuadrat, që kanë ambicie të ndryshme në këtë edicion.
Prince Caffe Superliga - Java 21
E shtunë
17:00 Peja - Rahoveci
19:00 Vëllaznimi - Trepça
E diel
17:00 Golden Eagle Ylli - Bashkimi
19:00 Sigal Prishtina - Ponte Prizreni