Peja ka triumfuar në derbin e javës së 26-të, duke mundur Trepçën me shifrat 70:73 (23:18, 13:20, 16:25, 18:10).
Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë me vendasit që kishin epërsi të lehtë, ndërsa e fituan këtë pjesë 23:18. Megjithatë, pejanët kundërpërgjigjen shpejt, ku arritën të shkrijnë epërsinë dhe në pushim shkuan me dy pikë në favor të tyre, 36:38.
Loja e mirë e verdhezinjve vazhdoi në periodën e tretë, ku filluan shkëputjen në “Minatori”, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 52:63. Vendasit luftuan deri në fund, por nuk arritën më shumë përveçse të afrojnë shifrat në 70:73, sa ishte rezultati përfundimtar i kësaj sfide.
Te vendasit u dallua Jamel Artis me 19 pikë e nëntë kërcime, kurse te mysafirët u dalluan Brad Waldow me 11 pikë e 20 kërcime dhe Arti Hajdari me 17 pikë.
Trepça numëron 15 fitore e 11 humbje, kurse Peja 19 fitore e shtatë humbje.