Bashkimi është kampion i Kosovës. Prizrenaset kanë shënuar fitoren në ndeshjen me Prishtinën me rezultat 78:64 (22:16,19:8, 24:16, 13:14), ku kjo fitore e shpall njëherësh Bashkimin kampion në Superligën e Femrave për edicionin 2022/2023.
Vajzat nga Prizreni e nisën ndeshjen në formën më të mirë, duke qenë të sakta në shënimin e pikëve të njëpasnjëshme dhe duke shkuar në pushim mes pjesëve me 17 pikë diferencë apo me shifra 41:24.
Edhe pjesa e dytë e ndeshjes ishte në favor të vajzave të Bashkimit. Në fundin e çerekut të tretë u krijua epërsia më e lartë nga vashat e udhëhequra nga Vikctor Kovac, 65:40, ndërsa deri në fund nuk pati ndonjë dallim të madh dhe skuadra prizrenase festoi dhe triumfoi 78:64.
Medaljet e argjendta te vajzat e Prishtinës i ndau Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova dhe Komesari i Garave në FBK, Faton Kurshumlija, kurse medaljet e arit i ndau Anëtari i Bordit të FBK-së, Rrahman Përteshi dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Trofeun e MVP-së te lojtarja më e mirë Khadija Brown Haywood, e ndau Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, kurse Kupën te kapitenia Aulona Muhadri e dorëzoi Kryetari Fetahu.
Këtë vit KBF Bashkimi ka fituar gjithashtu edhe Kupën në Final 8 në Rahovec, ku pati triumfuar ndaj Prishtinës.