Të hënën dhe të martën është zhvilluar Final 4 i Kupës së Kosovës për U16 në konkurrencën e femrave.
Ky aktivitet është zhvilluar në Pejë, ku pas ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale, skuadra Peja 03 festoi Kupën në fund.
Vashat e katër skuadrave dhe stafi i tyre kanë përkrahur Kampanjën “Her World, Her Rules”.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e pesë vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt.
“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim ta promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.
Federata e Basketbollit e Kosovës është e vendosur që të punojë në masivizimin e basketbollit femëror, dhe mbështetja nga FIBA Evropa nëpërmjet projekteve të tilla si FIBA Europe Girls Program dhe kampanja “Her World, Her Rules” është rruga e duhur për të arritur këtë qëllim.