Kosova ka mësuar kundërshtarët në Rrethin e Tretë Parakualifikues për EuroBasket 2025.
Dardanët do të përballen me Zvicrën dhe Danimarkën, ndeshje që do të zhvillohen nga 19 korriku deri më 5 gusht.
Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci, ka folur për shortin. “Shorti ka qenë relativisht i favorshëm, pasi ka pasur kombëtare shumë më të forta, duke theksuar Kombëtaren e Kroacisë. Danimarka dhe Zvicra janë kombëtare të forta, shumë mirë të organizuara dhe me cilësi të larta”, është shprehur Rraci për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai shpreson që kësaj radhe të mos kemi lëndime. “Ka një kohë që kemi filluar përgatitjet dhe pas hedhjes së shortit do t’i përvishemi punës dhe në këto kualifikime të hyjmë me synime të qarta. Në vitet e fundit kemi qenë të hendikepuar, pasi asnjëherë nuk kemi qenë të kompletuar. Nëse jemi komplet, atëherë shanset tona, veçanërisht për përkrahjen e Dardanëve në shtëpi, mund të jenë të larta”, ka shtuar tutje Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës.
Rraci foli për kundërshtarët dhe gjasat e Kosovës. “Me Danimarkën jemi ndeshur dy herë dhe njihemi mes vete (ku kemi dëshmuar së mund ta mposhtim), ndërsa me Zvicrën është hera e parë dhe shpresoj se, mund t’ia dalim. Synimet tona janë të qarta. Të fitojmë Grupin dhe të kalojmë në fazën kualifikuese të EuroBasket 2025. Ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, por as i pamundur”, përfundoi Adriatik Rraci.
Kosova ndeshjen e parë do ta ketë në shtëpi ndaj Zvicrës, kurse më pas është mysafire e Danimarkës e Zvicrës, ndërsa kualifikimet i mbyll kundër danezëve në shtëpi.