Të shtunën ka filluar Klinika e Basketbollit me trajnerin amerikan, Nick Berlage.
Ai në ditën e parë ka folur për Përmirësimin e gjuajtjes (shutit) në mënyrë algoritmike. Berlage para trajnerëve ka ligjëruar për rreth tri orë, duke treguar teknikat në përmirësimin e gjuajtjeve. Klinika ishte mjaft interaktive me trajnerët që kanë pyetur rreth gjuajtjeve që duhet të bëjnë fëmijët, kurse Nick Berlage nuk ka ngurruar të përgjigjet në pyetjet e tyre.
Në ditën e dytë, Nick Berlage do të flet për Ushtrimet për përmirësimin e gjuajtjes te lojtarët e rinj dhe atyre më të avancuar. Klinika fillon në ora 10:00 të dielën dhe do të përfundojë në ora 13:00.
Klinika organizohet nga Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Komunën e Prishtinës.
Berlage është trajner individual në NBA me përvojë 10 vjeçare. Ka punuar me 12 lojtarë të NBA-s dhe 39 lojtarë të NCAA divizioni 1 në përmirësimin e teknikës së gjuajtjes.