Menaxheri për Media në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), Bahri Rexha ka përfunduar me sukses programin e FIBA-s për media “Eurostep”.
Workshopi u organizua në Lubjanë të Sllovenisë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Federatave Nacionale të Basketbollit dhe klubeve në Evropë, ndërsa FBK-ja u përfaqësua nga Rexha.
Për dy ditë radhazi është ligjëruar për mediat sociale si Facebook, Instagram, TikTok, Linkedin, YouTube, si dhe për uebsajt. Gjithashtu është ligjëruar për Mediat dhe Operacionet Digjitale, si dhe Videografinë. Ligjëruesit ishin nga FIBA si Sakis Kontos, Geoff Wilson dhe Matiss Spaile.
Pjesëmarrësit më parë kanë ndjekur gjashtë webinare ‘online’, si dhe kanë parë ndeshje nga Kampionati Evropian i femrave në basketboll.
Në fund, Menaxheri i Mediave në FBK, si dhe pjesëmarrësit tjerë kanë pranuar certifikatat nga Presidenti i FIBA Evropës, Jorge Garbajosa dhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak.