Çmimi i Sportistit të Vitit për herë të parë shkoi tek ylli i basketbollit tonë, Dardan Berisha. Çmimi është dhënë nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Dardani ishte njëri prej më të dalluarëve në dy fitoret e kombëtares tonë të basketbollit në ndeshjet ndaj Islandës dhe Luksemburgut.
Ai kontribut të madh ka dhënë edhe për klubin e vendlindjes së tij, Peja, të cilës ia ktheu shkëlqimin, duke e fituar Kupën e Kosovës në basketboll, derisa vazhdon të mbetet lojtari më i dalluar, jo vetëm në Superligën e Kosovës.
“Falënderoj Komitetin Olimpik të Kosovës për çmimin, falënderoj Federatën e Basketbollit të Kosovës që na përkrah gjithmonë, familjen time për mbështetje dhe tifozët tanë”, ka thënë Berisha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.