Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, si dhe Menaxherja e Projekteve në FBK, Edita Medunjanin do të marrin pjesën në takimin e ekspertëve në Lisbonë të Portugalisë në kuadër të projektit Promise.
Takimi do të zhvillohet në datat 14-15 shtator.
Kjo ngjarje do të mbledhë ekspertë ndërkombëtarë për temat e projektit, për të diskutuar mbi gjetjet kryesore të projektit, strategjinë, metodologjinë e Pilot Programit Promise.
Projekti Promise në thelb trajton çështjen e mungesës së barazisë gjinore dhe barazisë në basketboll, duke zbatuar aktivitete dhe duke zhvilluar mjete që do të nxisin pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në sport në të gjitha nivelet, si dhe duke kontribuar në përmirësimin e përfaqësimin dhe fuqizimin e grave.
Duhet theksuar se FBK për herë të parë është bërë pjesë e një projekti të Bashkimit Evropian, më saktësisht në kuadër të programit të Erasmus+, si dhe i është besuar edhe një nga pesë Paketat e Punës, e ajo është: Hartimi dhe Implementimi i Strategjisë së Komunikimit dhe Shpërndarjes.
Projekti "PROMISE" përbëhet nga 7 institucione, që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria.
Partneriteti është një kombinim i një organizate akademike, përgjegjëse për projektimin dhe vlerësimin e mjeteve, 5 federata kombëtare të basketbollit (Franca, Bullgaria, Kosova, Irlanda, Portugalia) dhe 1 federatë rajonale e basketbollit, Federata e Basketbollit e Katalunisë, e cila është udhëheqëse e projektit.
Projekti Promise ka filluar në janar 2023 dhe do të përfundojë në qershor 2025.