Një lajm i jashtëzakonshëm vjen nga Heraklion i Greqisë. Për herë të parë dhe historike, Kosova, përkatësisht Prishtina do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe komuniteti i basketbollit urojnë Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe njëkohësisht uron që këto Lojëra të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kosova gjithmonë ka qenë organizatore e shkëlqyeshme e garave ndërkombëtare dhe besojmë fuqishëm se, kështu do të jetë edhe në këto Lojëra.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm në aspektin sportiv, por edhe ekonomik e financiar për shtetin e Kosovës dhe infrastrukturën e sportit të Kosovës.
Në këto Lojëra marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente. Lojërat Mesdhetare 2030, shënojnë edicionin e 21-të të kësaj ngjarjeje multi-sportive, që i bënë bashkë sportistët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilët preken nga ujërat e Mesdheut.
Ato mbahen çdo katër vjet, ndërsa organizohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Lojërat Mesdhetare të vetmet të organizuara në rajonin e Ballkanit, janë ato në vitin 1979 në Split të Kroacisë.