Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci kanë marrë pjesë në Konferencën “Forumi për Sportin”, që u mbajt nga Komiteti Olimpik i Kosovës në kuadër të Javës Evropiane të Sportit 2023.
Në këtë ngjarje është folur për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 dhe Javën Evropiane të Sportit 2023.
Panelistët e Konferencës, Koordinatori nacional i Javës Evropiane të Sportit në Kosovë, Ibër Alaj, Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova, trajnerja e gjimnastikës, Abeliana Bregu dhe gjyqtarja e tenisit, Blearta Ukëhaxhaj, njëherit ambasadore e Kosovës për promovimin e vlerave olimpike në garat e EYOF-it kanë folur për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe të qenit aktivë me aktivitete fizike.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë për LM Prishtina 2030, duke kërkuar njëkohësisht sqarime të nevojshme në lidhje me mënyrën e organizimit dhe investimeve që do të bëhen nga Qeveria e Kosovës.