Sigal Prishtina fitoi derbin e javës së pestë të Prince Caffe Superligës ndaj Bashkimit me rezultat 91:89 (27:21, 26:23, 21:23, 17:22).
Kryeqytetasit e nisën ndeshjen dhe që në fillim kishin epërsi prej nëntë pikësh, 15:6 dhe ishin në epërsi gjatë gjithë çerekut të fundit, por me pesë pikë radhazi nga mysafirët, çereku i parë përfundon 27:21. Por, prishtinasit e nisën më mirë periudhën e dytë, duke shkuar në epërsi deri në 11 pikë, 43:32, derisa pjesa e parë përfundon 53:44.
Megjithatë, pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë më mirë e nisën prizrenasit që afrojnë shifrat në 55:52, por kryeqytetasit nuk lejuan përmbysjen, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 74:67. Në çerekun e fundit, Prishtina kishte epërsi deri në 14 pikë, 83:69, por Bashkimi nuk u dorëzua dhe luftoi deri në fund, duke afruar rezultatin minimalisht në 90:89, por nuk arriti përmbysjen e madhe dhe Sigal Prishtina triumfoi 91:89.
Te vendasit u dalluan Derrick Wilson me 17 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime, Dardan Berisha me 20 pikë e gjashtë kërcime, kurse te mysafirët më i miri ishte Erik Copes me 25 pikë e 17 kërcime, ndërsa Altin Morina shtoi 19 pikë e pesë asistime.
Bardhekaltrit kanë katër fitore e një humbje, ndërsa Portokallezinjtë tri fitore e dy humbje.