Të shtunën është mbajtur Klinika e Basketbollit 3x3 ku ka ligjëruar eksperti ndërkombëtar, Jaume Comas.
Klinika ka qenë për Arsimtarët/et të cilët do të angazhohen në cilësinë e trajnerit/es për fëmijët në Programin “Sport në Shkolla”, pjesë e të cilit është edhe Federata e Basketbollit e Kosovës me basketbollin 3x3.
Ky Program është hartuar nga Ministria e Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës.
Pjesë e këtij Projekti janë Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Shahut të Kosovës.
Në hapjen e Klinikës, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka folur për rëndësinë e këtij projekti dhe se, FBK është krenare që është pjesë e këtij Programi shumë të rëndësishëm për fëmijët dhe basketbollin 3x3 në Kosovë.
Dren Marseli, menaxher i programit "Sport në Shkolla" në fjalimin hapës ka treguar se ky program është shumë i rëndësishëm, ku rreth 10000 nxënës të 23 komunave do të kenë mundësinë të jenë aktiv në aktivitetet sportive të përfshira në program.
Klinika ka qenë e mirëseardhur për arsimtarët të cilët do të punojnë me fëmijët në Programin e Basketbollit 3x3, që do të fillojë në muajin janar të vitit të ardhshëm.
Comas, i cili është ekspert ndërkombëtar për 3x3 ka ligjëruar për: Rregullat e basketbollit 3x3 (Rregullat kryesore, pikat kryesore të ndikimit në lojën 3x3); Dallimi midis 3x3 dhe 5x5 (Garat zyrtare, Formati i garës, Lloji i lojtarëve); Njohuritë bazë të lojtarëve (Aftësitë dhe përgatitja fizike); Parimet e lojës (Tranzicioni, Hapësira në terren, Garat 1 me 1, Blloku, Hand-off).
Nxënësit e shkollave publike do të kenë mundësi të jenë pjesëmarrës në aktivitete të rregullta sportive në 34 shkollat e 23 komunave.