Trepça ka vazhduar me formë të lartë në Prince Caffe Superligë.
Në javën e 14-të, mitrovicasit kanë mundur Golden Eagle Yllin me rezultat 61:80 (25:16, 6:19, 15:27, 15:18).
Therandasit e nisën sfidën më mirë, me një seri prej 10:2, e më pas ngritën epërsinë në 15:4, ndërsa çerekun e parë e fituan 25:16. Por, mitrovicasit u kundërpërgjigjën shpejt dhe u rikthyen në periudhën e dytë, duke përmbysur rezultatin për të shkuar në pushim me rezultat 31:36, ku vendasit për dhjetë minuta shënuan vetëm gjashtë pikë.
‘Xehetarët’ vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e tretë, ku vetëm sa ngritën epërsinë dhe shkuan drejt fitores, gjë që edhe ndodhi, pasi në dhjetë minutat e fundit nuk kishte ndonjë ndryshim dhe fituan 61:80.
Më i miri te Ylli ishte Jalen Nesbitt me 23 pikë e tetë kërcime, kurse te Trepça u dalluan Kevin Davis me 17 pikë e shtatë kërcime, Darnell Egde me 17 pikë e shtatë asistime dhe Mikaile Tmusiq me 13 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime.
Therandasit kanë tetë fitore e gjashtë humbje, kurse mitrovicasit 12 fitore e dy humbje.