02/01/2024 FBK

Ngjarjet e vitit 2023 në basketboll

Viti 2023 ishte shumë i ngjeshur për Federatën e Basketbollit të Kosovës.

FBK organizoi Divizionin C për meshkuj U16, si dhe FIBA 3x3 U23 Nations League, kurse ishte bashkëorganizatore në FIBA 3x3 Women's Series dhe FIBA 3x3 Challenger Prishtina.

Lajm sensacional ishte zgjedhja e Kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu, si anëtar i Bordit të FIBA Evropës.

Tjetër arritje ishte kur Fetahu u zgjidh nënkryetar i FIBA Europe Youth Commission, derisa Elvira Dushku anëtare e këtij Komisioni.

Stafi i FBK-së kreu me sukses disa programe të FIBA-s, ndërsa shkollimi vazhdoi edhe për trajnerët.

Gjithashtu u organizuan kampe të basketbollit, klinika për trajnerët e gjyqtarët.

Sa i përket trofeve, Peja u shpall kampione te meshkujt, kurse Trepça fitoi Kupën dhe Superkupën, kurse te femrat Bashkimi fitoi tripletën: titullin, Kupën dhe Superkupën. Partizani fitoi Ligën Unike te femrat.

Kosova A fitoi dy ndeshje (ndaj Zvicrës) dhe humbi dy (nga Danimarka), ndërsa Kosova u përfaqësua me pesë grupmosha në arenën ndërkombëtare.

Te arena ndërkombëtare, Peja dhe Trepça kishin paraqitje dinjitoze në grupet e FIBA Europe Cup.

Vendin tonë gjatë vitit 2023 e vizitoi Drejtori Ekzkutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, kurse lajm i rëndë ishte ndarja nga jeta e trajnerit të basketbollit, Illmen Bajra.

 

Më poshtë janë ngjarjet e vitit 2023 në basketboll:

 

Mbahet FIBA Scod Klinika për gjyqtarët

Më 6 janar është mbajtur FIBA Scod Klinika për gjyqtarët e FBK-së. Në këtë Klinikë mes sezonale pjesëmarrës kanë qenë 37 gjyqtarë nga të gjitha listat e gjyqtarëve të FBK-së. FIBA Scod Klinika për gjyqtarët është udhëhequr nga FIBA Instruktori Nacional, Faton Kurshumlija, Instruktori i gjyqtarëve të FIBA-s, Gjorgi Piperkov, si dhe me prezantim Fitim Goga, dhe me prezantim Online në Zoom platformën Prof. Ridvan Ekmekci.

Arben Krasniqi, pjesëmarrës në Punëtorinë e JB NBA Ligës në Paris

Drejtori Teknik i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Krasniqi më 21 janar ka marrë pjesë në Punëtorinë (Workshopin) e NBA Junior League, në Paris të Francës.

Në këtë Workshop kanë ligjëruar: Neal Meyer, Drejtor i NBA për Evropë dhe Lindje të Mesme, Daën Smyth, drejtoreshë e NBA International Operations, Henry Utku, udhëheqës i Programeve Zhvillimore të JR NBA, si dhe Adrian Carmos, menaxher i JR NBA Ligës. Temat kanë qenë si të zhvillohen më mirë kapacitetet organizative të federatave, por edhe zhvillimin e talenteve të reja.

Caktohen përzgjedhësit e Kosovës

Federata e Basketbollit e Kosovës më 21 janar ka emëruar përzgjedhësit e Kosovës për grupmosha të reja.

Kosova U20 (M): Përzgjedhës Dritëro Sefaja, ndihmës Dion Pllana.

Kosova U20 (F): Përzgjedhëse Shemsije Stublla, ndihmës Qëndrim Demi.

Kosova U18 (M): Përzgjedhës Brahim Veseli, ndihmësit Endrit Elshani dhe Safet Kastrati.

Kosova U18 (F): Përzgjedhës Furkan Saglik, ndihmësit Emrah Karatas dhe Aurora Muhaxheri.

Kosova U16 (M): Ibrahim Karabegu, ndihmësit Driton Obërtinca dhe Elbasar Gështenja.

Dushku në Barcelonë për fuqizimin e vajzave dhe grave në basketboll në kuadër të projektit

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku më 26 janar në Barcelonë ka marrë pjesë në takimin e parë të partnerëve të projektit "PROMISE" (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave), takim ky që është organizuar nga Federata e Basketbollit të Katalonisë, njëherësh lidere e këtij projekti të fituar në kuadër të Bashkimit Evropian, më saktësisht nëpërmjet programeve të Erasmus+.

Projekti "PROMISE" përbëhet nga 5 paketa të punës dhe FBK është përgjegjëse për implementimin e njërës nga këto paketa: "Komunikimi, Shpërndarja dhe Rritja e Ndërgjegjësimit për Mediat". Dushku në takimin në Barcelonë e ka bërë prezantimin e paketës së punës që është përgatitur nga FBK, por do të implementohet nga të gjithë partnerët e projektit. Projekti "PROMISE" përbëhet nga 7 institucione që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria.

Kupa e Kosovës në Konakun e Rahovecit

Kupa e Kosovës u zhvillua nga 15 deri më 19 shkurt në Rahovec, në një spektakël të basketbollit. Trepça është fituese e Kupës së Kosovës, duke mbrojtur trofeun e fituar vitin e kaluar. Mitrovicasit në finale mundën Sigal Prishtinën me rezultat 74:66, takimin që u vendos në dhjetë minutat e fundit. Më herët ‘Xehetarët’ mundën Rahovecin dhe Vëllaznimin. MVP i Final 8 është shpallur Drilon Hajrizi.

Bashkimi fitoi për herë të dytë radhazi Kupën, ku në finale fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 94:72. Pjesa e parë ishte më e barabartë, por dallimi u bë në pjesën e dytë me prizrenaset që triumfuan dhe festuan në fund. MVP e finales është shpallur Khadija Haywood.

Bora fitoi Kupën e Ligës së Parë te meshkujt. Skuadra prishtinase në finale mundi Neë Basket me rezultat 104:62. MVP është shpallur Dion Haxhosaj i Bora-s.

FBK fitoi të drejtën e organizimit të FIBA 3x3 U23 Nations League

Federata e Basketbollit e Kosovës (më 27 shkurt) fitoi të drejtën për të organizuar një tjetër ngjarje madhore. Kësaj radhe FBK në FIBA 3x3 U23 Nations League. Kjo është hera e parë që në vendin tonë organizohet një ngjarje e tillë. Kosova për herë të parë mori pjesë në këtë garë në të dyja konkurrencat.

FBK me kampanjë Anti-Doping në basketboll

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në muajin shkurt të këtij viti ka zhvilluar kampanjën anti-doping në basketboll. FBK ka vizituar klubet seniore në të dyja konkurrencat, ndërsa zyrtarët e FBK-së kanë treguar për pasojat që sjell dopingu në sport, përkatësisht në basketboll dhe përgjegjësitë e lojtarëve.

Kampanja është mirëpritur nga klubet e basketbollit, duke u njohur nga afër për pasojat që sjell dopingu. Federata e Basketbollit e Kosovës ka marrëveshje me Agjencinë e Anti-Dopingut për Kosovë (KosADA) nga viti 2022. Gjithashtu FBK është përkujdesur që në fillim të këtij viti të shpërndajë listën e WADA-s me substanca dhe metoda të ndaluara 2023 te të gjithë klubet e basketbollit. Gjithashtu FBK ka shpërndarë video dhe informacione në rrjetet sociale gjatë 3 muajve për ndërgjegjësimin e basketbollistëve dhe punëtorëve sportiv rreth dukurive negative të dopingut.

Tuhina, kampione e Konferencës PAC-12

Një sukses historik për ekipin e Washington State Cougars dhe basketbollisten nga Astera Tuhina,

që është shpallur kampion i Konferencës PAC-12, duke mposhtur UCLA me rezultat 65:61 në Las Vegas.

Astera ka luajtur rol kyç në triumfin e ekipit të saj në debutimin e saj në këtë ligë. Tuhina në finale ka luajtur për 31 minuta, duke realizuar gjashtë pikë, gjashtë asistime dhe tri kërcime, duke marrë vlerësime shumë pozitive për paraqitjen në finale, por edhe gjatë gjithë këtij edicioni.

Washington State Cougars u shpall kampione më 6 mars.

Enisa Kamerolli me suksese në SHBA

Ekipi i basketbollit UT Tyler, ku pjesë është edhe basketbollistja e Kosovës, Enisa Kamerolli, vazhdoi me suksese. UT Tyler u kualifikuan në turneun e parë NCAA DII dhe pasi kanë fituar dy ndeshjet e para, ka mundur Lubbock Christian 67:64 në kohën shtesë për të depërtuar në Elite Tight. Enisa është pjesë e grupmoshave të Kosovës, ndërsa ka luajtur edhe me Kosovën A.

Partizani, kampion i Ligës Unike

Partizani është kampion i Ligës Unike për femrat. Skuadra nga Tirana në finale ka mundur Flamurtarin e Vlorës me rezultat 61:72. Kjo është hera e parë që Partizani fiton Ligën Unike, ndërsa edicionin e

kaluar ishte Prishtina. Në Final 4 e zhvilluar në Vlorë më 15 e 16 mars, Partizani në gjysmëfinale kishte mundur Bashkimin, kurse Flamurtari eliminoi Prishtinën. Hanna Brych u shpall MVP e turneut, ndërsa në pesëshen më të mirë të turneut ishin: Sarah Mgbeike e Prishtinës, Aulona Muhadri e Bashkimit, Sophia Jackobsson dhe Samra Omerbasic të Flamurtarit dhe Lasonja Edëards e Partizanit.

Hidhet shorti për JR NBA Kosova

20 marsi ishte një ditë dhe datë e rëndësishme për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Me ceremoni zyrtare është bërë hedhja e shortit për Junior NBA Kosova. Ky është edicioni i dytë i kësaj gare, ku marrin pjesë 30 shkolla fillore nga e gjithë Kosova dhe më pas janë ndarë në dy Konferenca dhe gjashtë Divizione. Hapjen e ka bërë Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, i cili ka folur për rëndësinë e këtij projekti. Ish-basketbollisti i njohur i NBA-së, Gordan Giricek dhe ambasadori Erik Brucker kanë folur për rëndësinë e këtij programi. Më pas është hedhur shorti, ku shkollat fillore u ndanë në Divizione përkatëse.

Giricek dhe Brucker stërvitin fëmijët e Kosovës

Ish-basketbollisti i njohur i NBA-së, Gordan Giricek së bashku me Erik Brucker, Menaxher i Lartë për Operacionet e NBA-së më 19 mars kanë mbajtur një stërvitje me fëmijët e Kosovës.

Si Giricek ashtu edhe Brucker ishin të lumtur për këtë stërvitje me 15 basketbollistë të rinj, ndërsa në fund u ndan shumë të kënaqur me atë se çfarë kanë parë nga 1 orë e 30 minuta stërvitje. Edhe basketbollistët e rinj kishin mundësi të mësonin shumë, duke marrë parasysh përvojën e Giricek dhe Brucker.

Mbahet Kuvendi i Punës

Më 22 Mars u mbajt Kuvendi i Punës i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë 31 delegatë nga 40 gjithsej sa numëron Kuvendi. Më pas është miratuar Rendi i Ditës, ku nuk kishte kundërshtime. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka folur për të gjitha pikat e rendit të ditës, e që ishin: Raporti i Aktiviteteve të FBK-së për vitin 2022, Raporti i Auditimit për vitin 2022, Draft Plani i Veprimit 2023, Draft Plani Financiar 2023, Draft Plani i Marketingut 2023 dhe të ndryshme. Kuvendi ka zgjedhur si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, Dren Zatriqin, duke zëvendësuar Artan Spahijën, me kërkesën e këtij të fundit.

Her World, Her Rules te Kosova U20

Vashat e Kosovës U20 (25 mars) ju kanë bashkuar kampanjës “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj” në kuadër të projektit FIBA Europe Girls Program).

Ky program ka për synim masivizimin e basketbollit te femrat dhe mbështetjen për basketbollin femëror, ku Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku së bashku me 23 lojtare dhe stafin e Përfaqësueses së Kosovës kanë përkrahur dhe ju kanë bashkangjitur kësaj kampanje.

Kosova në turneun e YDF-së në Bullgari

Kosova në të dyja konkurrencat me U14 mori pjesën në turneun e YDF-së, që u organizua në Bullgari, nga 29 marsi deri më 2 prill. Kosova në katër ndeshje pësoi katër humbje në të dyja konkurrencat, duke u mundur nga Maqedonia, Veriore, Rumania, Bullgaria dhe Turqia.

Bashkimi kampion te femrat

Bashkimi është kampion i Kosovës te femrat. Prizrenaset kanë shënuar fitore në ndeshjen me Prishtinën me rezultat 78:64 apo me serinë finale 3:1 (më 11 prill).

Khadija Brown Haywood është zgjedhur MVP.

Këtë vit KBF Bashkimi ka fituar gjithashtu edhe Kupën në Final 8 në Rahovec, ku pati triumfuar ndaj Prishtinës.

Nënshkruhen kontratat, katër basketbolliste si Shpresa Olimpike

Në Komitetin Olimpik të Kosovës më 19 prill janë nënshkruar kontratat me sportistët që janë shpallur “Shpresa Olimpike 2023”. Në mesin e tyre janë edhe katër basketbolliste: Etna Rexhepi, Merisa Bilalli, Olsa Tahiri dhe Yllza Uka. Basketbolli përfaqësohet më së shumti në këtë listë nga të gjitha sportet e përzgjedhura.

Ato kanë nënshkruar marrëveshjen së bashku me përfaqësuesin e FBK-së, Adriatik Rraci si Menaxher i Përfaqësuesve të Kosovës. Bursistët iu takojnë 17 sporteve të ndryshme olimpike, ndërsa mbështetja për ta është në vlerë 150 euro në muaj.

Dardanët kundër Zvicrës dhe Danimarkës

Më 25 prill është hedhur shorti për Rrethin e Tretë Parakualifikues për FIBA EuroBasket 2025, ku është publikuar edhe orari.

Dardanët ndodhen në Grupin H, së bashku me Zvicrën dhe Danimarkën. Sfida e parë është ndaj Zvicrës më 19 korrik, kurse më 26 dhe 29 korrik, Kosova është mysafire e Danimarkës, përkatësisht Zvicrës, kurse përballja e fundit është kundër Danimarkës më 5 gusht në Prizren.

FBK në Panairin e Turizmit dhe Sportit

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është pjesëmarrëse në Panairin e Turizmit dhe Sportit. Ky Panair u zhvillua më 27-28 prill në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. 

Panairin e ka vizituar edhe Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. Në stendën e FBK-së qytetarët e shumtë janë interesuar për programet e ofruara nga Federata e Basketbollit e Kosovës, në veçanti për Basketbollin 3x3. Pjesë e panairit janë shumë organizata sportive, ekonomisë, biznesit dhe turizmit. Ky është edicioni i 19-të i këtij Panairi.

Mbahet Klinika me amerikan Nick Berlage

Më 29 dhe 30 prill në Prishtinë u mbajt Klinika e Basketbollit me trajnerin amerikan Nick Berlage.

Berlage është trajner individual në NBA me përvojë 10 vjeçare. Ka punuar me 12 lojtarë të NBA-s dhe 39 lojtarë të NCAA divizioni 1 në përmirësimin e teknikës së gjuajtjes. Klinika organizohet nga Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Komunën e Prishtinës. Kjo Klinikë është vazhdimësi e SHTBK-së dhe FBK-së në edukimin e trajnerëve të basketbollit të Kosovës.

Peja, kampione e Kosovës

Peja është kampione e Kosovës. Në një super finale shumë interesante dhe dramatike më 18 maj, verdhezinjtë kanë mundur Trepçën 91:93, në njërën nga finalet më interesante pasluftës në basketbollin e Kosovës. Verdhezinjtë triumfuan 3:2 në serinë finale, ku sfida e fundit u zhvillua në ‘Minatori’ të Mitrovicës.

Fundi ishte dramatik, ku Amin Hot shënoi në fund për 77:77 dhe ndeshja shkoi në vazhdime, e në çastet e fundit realizoi Brad Waldow për 91:93. Jalen Tate është zgjedhur MVP i finaleve.

Sensacionale: Arben Fetahu, zgjidhet anëtar i Bordit të FIBA Evropës

Një lajm i jashtëzakonshëm nga Munihu. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu është zgjidhur anëtar i Bordit të FIBA Evropës. Ky është një sukses i madh për Federatën e Basketbollit e Kosovës dhe Basketbollin e Kosovës. Fetahu është zgjedhur me 39 vota pro në zgjedhjet që janë mbajtur më 20 maj në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës, ku mori pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të cilët janë shpërblyer për punën që kanë bërë gjatë periudhës 2019-2023 në komisionet e FIBA-s.

Tjetër sukses madhor: Fetahu zgjidhet nënkryetar i FIBA Europe Youth Commission, Dushku anëtare e këtij Komisioni

Tjetër lajm madhor për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe basketbollin e Kosovës. Pas zgjidhjes së Arben Fetahut për herë të parë anëtar i Bordit të FIBA Europës, Kryetari i FBK-së është zgjidhur nënkryetar i FIBA Europe Youth Commission, ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku është zgjidhur anëtare e FIBA Europe Youth Commission për mandatin 2023-2027.

Prezantohet Rami Hadar

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) më 22 maj ka prezantuar zyrtarisht trajnerin e Përfaqësueses A, Rami Hadar. Ai së fundi u shpall kampion i Kosovës me Pejën, duke dëshmuar se është një trajner i nivelit të lartë, ndërsa ka përvojë të madhe në basketbollin evropian. Hadar ka mbi 30 vjet përvojë në basketbollin evropian, ku ka drejtuar skuadra të mëdha si Maccabi Haifa, Maccabi Telaviv dhe Maccabi Be'er Sheva. Për të do të jetë hera e parë që udhëheq një kombëtare A.

Logo e Evropianit

FBK më 26 maj ka prezantuar logon e Evropianit të Divizionit C për meshkuj U16. I inspiruar nga flamuri dhe yjet e Kosovës, logo është punuar nga FIBA për Evropianin e Divizionit C, që do të zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës. Rrathët që janë majtas dhe djathtas dhe në mes, janë pjesë e simbolit të qytetit të Prishtinës ose Hyjneshës në fron.

Astera Tuhina, model suksesi para vajzave të reja

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vazhduar me promovimin e kampanjës “Her World, Her Rules”, ku së fundi si rol model për këtë kampanjë ka përzgjedhur basketbollisten e talentuar Astera Tuhina. Kampanja është organizuar në Prizren, Prishtinë dhe Pejë, në fund të muajit maj.

Së bashku me Asterën pjesë e kampanjës ishin edhe Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Arben Krasniqi, Drejtor Teknik në FBK, Artina Hasani, Menaxhere e Eventeve e Basketbollit 3x3 në FBK dhe Rrezarta Kqiku, Asistente Ekzekutive në FBK.

Kjo kampanjë është zhvilluar gjithashtu edhe në qytetin e Pejës për Kupën e Kosovës U16 te femrat, si dhe në Mitrovicë.

Krasniqi në Konventën e Mini Basketbollit

Në Madrid të Spanjës është mbajtur Konventa e Mini Basketbollit, ku ka marrë pjesë edhe Drejtori Teknik në FBK, Arben Krasniqi. Konventa, që është mbajtur nga 2 deri më 4 qershor, ishte pjesë përmbyllëse e trajnimit të Kursit për trajnerë të Mini Basketbollit 2022/23 të organizuar nga FIBA Europe.

Turneu i FIBA YDF-së në Prizren

Nga 8 deri më 12 qershor në Prizren është organizuar turneu i FIBA YDF-së për U14. Në këtë turne kanë marrë pjesë: Kosova, Maqedonia Veriore, Turqia, Bullgaria dhe Rumania në të dyja konkurrencat.

Për pesë ditë me radhë janë zhvilluar 20 ndeshje. Meshkujt pësuan katër humbje edhe pse tri prej tyre luftuan deri në fund dhe me pak fat kanë mundur të fitojnë, ndërsa edhe vashat pësuan katër humbje.

FBK dhe FIBA YDF kanë bashkëpunim që nga viti 2016, bashkëpunim ky, i cili ka ndihmuar në zbulimin e talenteve të rinj, edukimin e trajnerëve dhe ngritjen profesionale te lojtarët.

Enea Hajdari pjesë e FIBA Foundation European Youth Leadership Program

Këshilltarja Ligjore për Sport në FBK, Enea Hajdari ka marrë pjesë në programin FIBA Foundation European Youth Leadership Program. Punëtoria në kuadër të këtij programi u zhvillua në Gjenevë, nga 14 dhe deri më 18 qershor. Gjatë kësaj punëtorie Hajdari gjithashtu do të jetë pjesë e organizimit të FIBA Open, turneut 3x3 ndër më të mëdhenjtë në Zvicër.

Organizohet Konferenca: Kosova e gatshme për eventet prestigjioze të FIBA 3x3

Në organizim të klubit 3x3 Prishtina më 15 qershor është mbajtur konferenca për media kushtuar eventit madhështor të basketbollit 3x3, FIBA 3x3 Ëomen’s Series&FIBA 3x3 Challenger Prishtina, si dhe organizimit të FIBA 3x3 U23 Nations League nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).

Numri një i FBK-së, Arben Fetahu tha se është shumë i kënaqur me gjithë këtë përkrahje që e ka dhe do të vazhdoj ta ketë basketbolli dhe basketbolli 3x3.

Në konferencë është lansuar edhe zyrtarisht fanella unike e eventit, si dhe detaje të tjera shtesë rreth këtij eventi madhështor.

Vlora Braha në Punëtorinë për FIBA Delegatët Teknik

Ish-basketbollistja e KB Universitetit nga Prishtina, tashmë në rolin e vëzhgueses/delegates në FBK, Vlora Braha ka marrë pjesë në Punëtorinë e FIBA-s për Delegatët Teknik, cikli 2023-2025, që u organizua në Lubjanë prej 16 deri më 18 qershor.

Ekipi Bar-Bon fitues i Prizren Edition 3x3

Më 18 qershor është zhvilluar turneu Prizren Edition 3x3 në organizim të klubit 3x3 Prishtina, Komunës së Prizrenit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Përgjatë gjithë ditës ishte një atmosferë fantastike në Prizren, më saktësisht tek shatërvani, ku një numër i madh i adhuruesve të basketbollit ishin të pranishëm në ndeshjet në të cilat rivaliteti ishte shumë i madh, por edhe patëm rastin të shohim basketboll mjaft atraktiv.

Ekipi fitues i Prizren Edition është Bar-Bon nga Prizreni pasi në finale triumfoi ndaj ekipit të Prishtinës.

1 fitore me 3x3 në Qipro

Më 17/18 qershor u zhvilluan kualifikimet në FIBA Europe Cup në 3x3, ku Kosova u përfaqësua nga ekipi i meshkujve dhe femrave.

Dardanët kanë pësuar nga Irlanda, Andorra dhe Shqipëria, kurse Dardanet në grupe kishin një fitore (ndaj Andorrës 16:18) dhe dy humbje (nga Luksemburgu 4:17 dhe Qipro 20:9). Ndërkohë, në sfidën e fundit pësuan nga Irlanda 16:4.

Dushku ishte pjesë e panelit "Women in Leadership Forum" me ftesë të FIBA-s

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku më 23 qershor në Lubjanë ishte pjesë e panelit "Women in Leadership Forum" me ftesë të FIBA (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit).

Para pjesëmarrjes në panel të Forumit, Dushku ka pasur rastin që të ndajë rrugëtimin e saj në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme, që nga emërimi në vitin 2017 (si u.d.) e deri më tani, me pjesëmarrëset e programit WiLEAD.

Bahri Rexha përfundon me sukses FIBA Programin “Eurostep”

Menaxheri për Media në FBK, Bahri Rexha ka përfunduar me sukses programin e FIBA-s për media “Eurostep”, që u organizua më 20-21 qershor në Lubjanë.

Workshopi u organizua në Lubjanë të Sllovenisë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Federatave Nacionale të Basketbollit dhe klubeve në Evropë, ndërsa FBK-ja u përfaqësua nga Rexha.

Pesë vjet pa Gazmend Sinanin

23 qershori i vitit 2018 ishte një nga ditët më të rënda për basketbollin e Kosovës. Në këtë datë humbi jetën në një aksident trafiku basketbollisti i njohur Gazmend Sinani.

Më 23 qershor janë bërë pesë vjet pa Gazin, i cili gjithmonë do të mbetet në zemrat tona. Gazi ishte një basketbollist, i cili gjithmonë luftonte për fanellën e Kosovës dhe skuadrave ku luante.

Sinani ishte anëtar i Kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA, ndërsa fanella me numër 15 është pensionuar përgjithmonë nga Federata e Basketbollit të Kosovës. Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja. Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.

Kajashi dhe Kqiku diplomojnë me sukses në Programin e FIBA-s, Gratë në Lidership (WiLEAD)

Menaxherja e Financave në FBK, Nadire Kajashi dhe Asistentja Ekzekutive në FBK, Rrezarta Kqiku kanë diplomuar me sukses në Programin e FIBA Evropës, Gratë në Lidership (WiLEAD).

Kajashi është prezantuar me temën: “Rritja e numrit të vajzave e grave në basketboll”, ndërsa Kqiku me temën: “Rritja e numrit të tifozëve që janë prezentë në ndeshjet e basketbollit të femrave”. Programi u zhvillua më 23-24 qershor në Lubjanë të Sllovenisë.

Vëllaznimi fiton Kupën te Veteranët

Më 25 qershor, basketbollistët veteranë të Vëllaznimit, duke e mposhtur Bashkimin në finale të Kupës së Kosovës për veteranë, ka fituar trofeun e parë të Ligës së Veteranëve të Kosovës, në sezonin e parë të organizimit të saj.

Gjakovarët ishin më të mirë se prizrenasit gjatë gjithë ndeshjes dhe në fund fituan me rezultat 42-30, ndërsa pjesa e parë kishte përfunduar 22-15 në të mirë të Vëllaznimit. Bashkimi mori vendin e dytë në Final Four të Kupës së Kosovës për veteranë, ndërsa më parë në gjysmëfinale kishin fituar Pejën 43-38, kurse Vëllaznimi Prishtinën 48-35.

FBK ka filluar me implementimin e projektit “PROMISE”

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për herë të parë është bërë pjesë e një projekti të Bashkimit Evropian, më saktësisht në kuadër të programit të Erasmus+.

Projekti i fituar është PROMISE (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave). Objektivi i përgjithshëm i projektit "PROMISE" është të promovojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësive nëpërmjet hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi gjithëpërfshirës të ndërhyrjes.

Projekti “PROMISE” ka filluar në Janar 2023 dhe do të përfundojë në Qershor 2025.

Kosova A me 2 fitore e 2 humbje

Kosova kishte dy fitore e dy humbje në parakualifikimet për Eurobasket 2025. Dardanët e nisën me fitore, duke mundur Zvicrën 76:49, në sfidën e zhvilluar në Prizren. Më pas pësuan nga Danimarka 82:75, kurse në Fribourg erdhi një fitore e ëmbël dhe shumë e dashur ndaj Zvicrës 72:76, ku tifozët shqiptarë i dhanë përkrahje të madhe. Në ndeshjen vendimtare, Dardanët pësuan nga Danimarka 63:88 dhe nuk arritën kualifikimin tutje.

Kosova U20M renditet e 11-ta

Kosova U20 është renditur në vendin e 11- të në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që u mbajt në Shkup të Maqedonisë Veriore.

Rezultatet

Kosova-Gjeorgjia 70:80, Suedia-Kosova 84:76, Kosova-Azerbajxhani 75:71, Ukraina-Kosova 78:62, Letonia-Kosova 78:81, Bullgaria-Kosova 115:80, Kosova-Austria 78:67.

Kosova U20 (F) garon në Rumani

Kosova U20 në konkurrencën e femrave mori pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni B, në Craiova të Rumanisë. Por, vashat e Kosovës pësuan 6 humbje në 6 ndeshje.

Rezultatet

Holanda-Kosova 87:57, Kroacia-Kosova 43:85, Sllovenia-Kosova 79:49, Sllovakia-Kosova 93:32, Kosova-Bullgaria 62:80, Kosova-Austria 50:83.

Kosova U18 (M) në Portugali

Kosova U18 (M) është renditur në vendin e 21-të në Kampionatin Evropian, Divizioni B që u mbajt në Portugali.

Rezultatet

Kosova-Estonia 60:68, Holanda-Kosova 82:67, Kosova-Rumania 64:98, Irlanda-Kosova 77:70, Kosova-Rumania 68:78, Kosova-Zvicra 84:85, Shqipëria-Kosova 64:85.

Vashat e Kosovës U18 me një fitore në Shqipëri

Kosova U18 është renditur në vendin e gjashtë nga shtatë shtete në Kampionatin Evropian, Divizioni C në Durrës të Shqipërisë.

Rezultatet

Kosova-Shqipëria 45:63, Armenia-Kosova 73:48, Moldavia-Kosova 61:85, Qipro-Kosova 85:54.

Arta Mustafa dhe Jeta Zeka në FIBA European Women's Basketball Summit

Arta Mustafa si trajnere dhe Jeta Zeka si gjyqtare kanë marrë pjesë në FIBA European Women's Basketball Summit (Samiti Evropian i Basketbollit të Vajzave).

Kjo ngjarje u zhvillua më 5-9 korrik në Postojna të Sllovenisë. Arta dhe Jeta janë deleguar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), që vazhdon të investojë në kuadro, sidomos në trajnere dhe gjyqtare. Ky event ofron trajnime për lojtaret, trajneret dhe gjyqtaret e basketbollit.

Hera e parë në Kosovë që organizohet turneu i FIBA 3x3 U23 Nations League

Nga 10 deri më 12 korrik në kryeqytetin e Kosovës është mbajtur për herë të parë në vendin tonë, turneu i FIBA 3x3 U23 Nations League. Gjithashtu kjo ishte hera e parë që Kosova U23 mori pjesë në këtë garë në të dyja konkurrencat. Gjithsej morën pjesë gjashtë shtete te femrat dhe gjashtë te meshkujt, ku në qendër të Prishtinës u zhvilluan ndeshje shumë të mira dhe cilësore, ndërsa në fund të ditës u zhvillua edhe finalja te meshkujt dhe femrat. Shtetet pjesëmarrëse ishin Kosova, Gjermania, Turqia, Greqia, Hungaria dhe Holanda.

Spektakli i basketbollit 3x3 vazhdoi me FIBA 3x3 Women's Series dhe FIBA 3x3 Challenger Prishtina

Sërish në qendër të Prishtinës u organizua një turne ndërkombëtar i 3x3, kësaj radhe FIBA 3x3 Women's Series dhe FIBA 3x3 Challenger Prishtina, ku FBK ishte bashkëorganizatore e kësaj ngjarje, kurse organizatore është klubi Prishtina 3x3. Eventi u organizua nga 14 deri më 16 korrik. 14 shtete morën pjesë në FIBA Women’s Series, kurse për Kosovën që debutoi garuan Saranda Daci, Enisa Kamerolli, Agnesa Rrahmani dhe Sara Vraniqi. SHBA triumfoi te kjo garë, ndërsa Amsterdam te meshkujt. Te meshkujt morën pjesë ekipe nga mbarë bota, ndërsa nga Kosova ishte BarBon i Prizrenit.

Spaqi diplomon me sukses në FIBA Europe Coaching Certificate

Ky program ka filluar më 2021, ku Spaqi është përzgjedhur nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Gjatë tri viteve trajnerët kanë ndjekur Programe të ndryshme zhvillimore për gjeneratat e reja.

Spaqi së bashku me trajnerët tjerë ka ndjekur Kampionatin Evropian U16 në Shkup, Kampionatin Evropian U18 në Izmir të Turqisë dhe Kampionatin Evropian U20 në Kretë të Greqisë. Këto i ka ndjekur gjatë tri viteve, ku ka parë mundësinë të shohë punën që bëhet me gjenerata të reja, por edhe njëkohësisht të analizojë ndeshjet e garave evropiane.

Kampi Nacional i FBK-së, synon zhvillimin e gjeneratave të reja

Nga 18 deri më 23 korrik është mbajtur Kampi Nacional i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Në këtë Kamp kanë marrë pjesë fëmijët e gjeneratës së lindur më 2010-2011, në të dyja konkurrencat, ndërsa janë vëzhguar nga trajnerët/et gjatë gjithë kohës.

Synimi i këtij kampi është zhvillimi i gjeneratave të reja, që më vonë do të jenë pjesë e Përfaqësueseve të Kosovës dhe do të jenë e ardhmja e basketbollit.

Edhe një Evropian me sukses u zhvillua në Prishtinë

Nga 19 deri më 27 korrik është mbajtur Kampionati Evropian, Divizioni C për meshkuj U16. Në këtë Evropian kanë marrë pjesë nëntë shtete, ndërsa të gjitha ndeshjet janë zhvilluar në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa interesimi ishte i kënaqshëm për këtë Evropian. Federatës së Basketbollit të Kosovës iu nda çmimi për organizimin e eventit, ku çmimin e pranoi Drejtori Teknik në FBK, Arben Krasniqi. Qipro u shpall kampione, ndërsa MVP u shpall basketbollisti i Qipros, Demir Oztoprak. Lis Binishi hyri në Top 5.

Novak vizitoi Kosovën

Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, më 19 korrik ka vizituar Kosovën. Novak është takuar me drejtuesit e FBK-së, ndërsa më pas i shoqëruar nga Kryetari Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku kanë vizituar Komitetin Olimpik të Kosovës. Novak vlerësoi lart punën dhe përkushtimin e FBK-së për avancimin e basketbollit, derisa përmendi organizimet e shumta ndërkombëtare që po i bënë federata, si dhe shprehu konsideratën e lart edhe për emërimin e Fetahut, anëtar i Bordit të FIBA Evropës.

Novak ishte i pranishëm në ndeshjen e Kampionatit Evropian, Divizioni C për meshkuj U16 mes Kosovës dhe Maltës, e më pas Kosova A me Zvicrën.

Kosova shënon fitoren e parë në FIBA 3x3 U23 Nations League

Kosova ka regjistruar fitoren e parë në garat e FIBA 3x3 U23 Nations League që u zhvilluan në Hungari nga 1 deri më 3 gusht. Këtë e arritën vashat e Kosovës, duke mundur Greqinë me rezultat 21:15. Kjo ishte fitorja e parë në ditën e tretë. Në këtë garë morën pjesë edhe meshkujt, që ishin afër fitores, ku pësuan nga Gjermania 21:20. Kosova për herë të dytë u paraqit në FIBA 3x3 U23 Nations League. Pas garave në Prishtinë, vashat dhe djemtë e Kosovës garuan në Szolnok të Hungarisë.

FBK me 4 FIBA Gjyqtarë për periudhën 2023-2025: Xhelal Mumini, Ngadhnjim Shabani, Elldin Uglari, Amar Djekovic

Federata e Basketbollit e Kosovës (më 14 gusht) është njoftuar nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis me  vendimin e Komisionit Teknik të FIBA-s për licencimin e gjyqtarëve dhe të komisionerit të FBK-së për Periudhën e Licencimit FIBA GOL 2023-2025.

Komisioni Teknik i FIBA-s para disa ditëve ka përfunduar analizën e të dhënave të paraqitura nga Federatat Nacionale për Licencimin e FIBA gjyqtarëve për periudhën FIBA GOL 2023-2025.

Sipas rregulloreve të brendshme të FIBA-s, Licenca për FIBA gjyqtarët është e vlefshme për periudhë dyvjeçare, duke filluar nga 1 shtatori 2023 dhe skadon më 31 gusht 2025. Për periudhën 2023-2025, FBK ka arritur të ngrit numrin total në katër FIBA gjyqtarë, si dhe një komisioner për dy vitet e ardhshme. Licenca për FIBA gjyqtarë i janë ndarë gjyqtarëve Xhelal Mumini, Ngadhnjim Shabani, Elldin Uglari, Amar Djekovic, si dhe për FIBA Komisioner Faton Kurshumlija.

Në fund, FIBA si dhe Komisionit Teknik i FIBA-s për licencimin e FIBA gjyqtarëve ka falënderuar punën dhe përpjekjet e FBK-së në zbatimin e procedurës së Licencimit të gjyqtareve për periudhën FIBA GOL 2023-2025.

Dushku e përfaqësoi FBK-në në Kongresin e FIBA-s në Manila

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku e ka përfaqësuar FBK-në në Kongresin e FIBA-s, që është mbajtur në Manila më 23 e 24 gusht, ku është zgjedhur Presidenti dhe Bordi Qendror i ri i FIBA-s. Krahas Kongresit Dushku ka marrë pjesë edhe në hapjen solemne të Botërorit, që është organizuar më 25 gusht në Manila me një atmosferë të paharruar. Dushku ishte edhe pjesë e Punëtorive të organizuara nga FIBA në kuadër të Kongresit me temat: Vajzat dhe Gratë në Basketboll, Integriteti në Basketboll dhe Përgatitja e Planeve Strategjike për Federatat Nacionale.

Kampi i Basketbollit nga Kosovo Basketball Heritage Academy dhe Federata e Basketbollit e Kosovës

Nga 21 deri më 25 gusht është mbajtur me sukses kampi i basketbollit për moshat 8-16 vjet në katër qytete të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjakovë. Ky Kamp është organizuar nga Kosovo Basketball Heritage Academy dhe Federata e Basketbollit e Kosovës. Pasi është mbajtur në katër qytetet e Kosovës, më 25 gusht në kryeqytetin e Kosovës është zhvilluar edhe All Star final njëditor, ku janë shpallur MVP në të dyja konkurrencat.

Në kamp kanë punuar Edona Thaqi, Brian S. Kriftcher, Sarah Kustok dhe Falecia Cabral Porter. Kampi është vëzhguar nga Arben Krasniqi, Drejtor Teknik në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Basketbollistja e re Etna Rexhepi në Basketball Without Borders European Camp

Basketbollistja e re Etna Rexhepi ishte pjesë e Basketball Without Borders European Camp.

Ky kamp u mbajt prej 23 deri më 29 gusht në Wroclaw të Polonisë. Basketball Without Borders është kamp elitar për zhvillimin e shkathtësive individuale të lojtareve të talentuara të regjionit. Etna është zgjedhur në mënyrë individuale nga NBA dhe FIBA, duke u bazuar në shkathtësitë e saj si lojtare e jashtëzakonshme.

Kjo ishte hera e parë që një basketbolliste nga Kosova ftohet në një kamp të tillë. Ajo fitoi çmimin Sportsmanship Award në këtë Kamp.

Driton Obërtinca në Programin FIBA Europe Coaching Certificate

Driton Obërtinca pas pranimit ka marrë pjesë (në fund të gushtit) në programin FECC (FIBA Europe Coaching Certificate) ka marrë pjesë në Klinikën që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë Veriore.

Ky program është për një periudhë trevjeçare, ndërsa Obërtinca, i cili është përzgjedhur nga FBK-ja, ndoqi nga afër Klinikën në Shkup, ku u zhvillua edhe Kampionati Evropian, Divizioni A për meshkuj U16. Qëllimi i organizimit të klinikave në përputhje me Kampionatin Evropian për meshkuj U16, U18 dhe U20 është për të monitoruar zhvillimin e lojtarëve të rinj nga mosha 15 deri në 20 vjeç gjatë një periudhe prej dy deri në tre vjet në garat kryesore.

Kosova 3x3 për herë të parë në Lojërat Mesdhetare në Rërë "Heraklion 2023"

Nga 9 deri më 16 shtator janë mbajtur Lojërat Mesdhetare në Rërë "Heraklion 2023". Për herë të parë Kosova do të garojë në 3x3, te meshkujt dhe femrat. Kosova te meshkujt ishte në grup me Greqinë, Kroacinë dhe Maqedoninë Veriore, kurse femrat me Tunizinë dhe Kroacinë. Kosova 3x3 (M) mundi Maqedoninë Veriore 14:12, që ishte fitorja e parë në këtë turne dhe e vetmja në të dyja konkurrencat. Në përgjithësi kanë marrë pjesë 26 shtete me 13 sporte të ndryshme. 765 sportistë ishin me 1131 pjesëmarrës në përgjithësi.

FBK për herë të parë me përfaqësues në një Komision të FIBA Botës, Dushku emërohet anëtare e Komisionit të FIBA 3x3

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për herë të parë do ta ketë një përfaqësues në një Komision të FIBA Botës. Bëhet fjalë për emërimin e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku në Komisionin e FIBA 3x3 nga Bordi Qendror i FIBA-s. Emërimi i Dushkut sipas Bordit Qendror të FIBA-s ka ardhur si rrjedhojë e aftësive, përvojës dhe angazhimit të saj për zhvillimin e basketbollit. Mandati i Dushkut në FIBA Komisionin 3x3 është katërvjeçar (4) 2023-2027.

Klinikë për Trajnerët e Basketbollit, ku ligjëuan Bradley Soderberg dhe Luca Palumbo

Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka organizuar Klinikën për Trajnerë të Basketbollit më 9 dhe 10 Shtator.

Ligjërues në këtë Klinikë ishin trajnerët e mirënjohur: Bradley Soderberg, trajner në Universitetin e Virgina të SHBA dhe Luca Palumbo trajner në Orange1 Basket Academy.

Programi PROMISE mbahet në Portugali, marrin pjesë Dushku dhe Medunjanin

Në Lisbonë të Portugalisë më 14/15 shtator janë mbledhur Partneret e Projektit PROMISE dhe ekspertet ndërkombëtare. Në këtë event kanë marrë pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Menaxherja e Projekteve në FBK, Edita Medunjanin. 

Qëllimi i këtij takimi ishte të diskutohen rezultatet e hulumtimit, strategjia dhe metodologjia e Pilot Programit PROMISE. Projekti PROMISE do të trajtojë çështjen e mungesës së barazisë gjinore në basketboll përmes aktiviteteve të ndryshme dhe zhvillimit të mjeteve që do të nxisin pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në sport në të gjitha nivelet.

Trepça triumfon në Superkupë

Trepça është fituese e Superkupës së Kosovës në basketboll. Mitrovicasit në finale kanë mundur Pejën me rezultat 78:76. Finalja u zhvillua më 17 shtator.

Kevin Davis u shpall MVP i turneut, çmim të cilin ia dorëzoi Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ndërsa trofeun kapitenit të Trepcës, Valdrin Haxhiu ia dorëzoi Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Në këtë garë morën pjesë tetë skuadrat e elitës së basketbollit. Superliga e Meshkujve u zhvillua nga 13 deri 17 shtator.

Artina Hasani, pjesëmarrëse në Programin S2ABC Project për Administratën Sportive

Menaxherja e Eventeve në FBK, Artina Hasan ka qenë pjesëmarrëse në programin “S2ABC Project” për administratën sportive. Ky program u organizua më 20-22 shtator. Modulet e këtij Programi ishin online, ndërsa Kursi pas Brukselit do të vazhdojë edhe në tremujorin e parë të vitit 2024. Diplomimi do të mbahet në Kosovë. Tri modelet kryesore janë: Menaxhimi i projektit, financa dhe burimet njerëzore.

Mundet Peja, vazhdon garat në FIBA Europe Cup

Peja ka pësuar humbje nga kampioni i Danimarkës, Bakken me rezultat 103:79, në takimin e zhvilluar në Antalia të Turqisë, në çerekfinale të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve. Skuadra pejane gjithsesi do të vazhdojë garat në arenën evropiane, ku do të garojë në grupet e FIBA Europe Cup. Në takimin e zhvilluar në Turqi, pejanët ishin të barabartë në pjesën e dytë, por gjithsesi dallimi i madh u bë në pjesën e parë që ishte vendimtar.

Etna Rexhepi falënderon FBK-në, flet edhe për synimet

Një nga basketbollistet më të talentuara dhe me të ardhme të ndritur është Etna Rexhepi.

Ajo ishte pjesë e Kampit Basketball Without Borders në Wroclaw të Polonisë. Ky kamp elitar ishte për zhvillimin e shkathtësive individuale të lojtareve të talentuara të regjionit.

Basketbollistja e grupmoshave të reja është pritur në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) nga Drejtori Teknik, Arben Krasniqi dhe Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci.

Krasniqi dhe Rraci i kanë ofruar përkrahje, duke konfirmuar mbështetjen nga FBK për të dhe zhvillimin e saj. “Basketball Without Borders Europe 2023 ka qenë shumë i rëndësishëm për mua dhe të ardhmen time. Dua të falënderoj FBK-në për pjesëmarrjen në këtë kamp, ku shpresoj se do të më ndihmoj shumë. Ka qenë një përvojë shumë e mirë për mua dhe FBK më ka qëndruar pranë”, është shprehur Rexhepi për faqen zyrtare të FBK-së.

Bashkimi triumfon në Superkupën e Femrave

Bashkimi është triumfues në Superkupën e Femrave. Në finalen e zhvilluar në Prizren ka fituar ndaj Prishtinës me rezultat 49:57 (16:13, 9:9, 11:16, 13:19).

Ndeshja ishte interesante nga fillimi deri në fund, me shumë kthesa dhe dramë në fund.

Superkupa u zhvillua më 3-4 tetor në Prizren, ku garuan katër skuadra dhe në fund prizrenaset fituan trofeun e çmuar.

MVP e turneut është shpallur Sarah Mgbeike, çmim të cilin ia ka dorëzuar Anëtarja e Bordit të FBK-së, Teuta Abdullahu, ndërsa trofeun për kapitenen e Bashkimit, Aulona Muhadri ia dorëzoi Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.

 

Medunjanin dhe Hajdari, pjesë e Programit “Future Leaders in Football”

Menaxherja e Projekteve në FBK, Edita Medunjanin dhe Këshilltarja Ligjore për Sport, Enea Hajdari ishin pjesë e Programit “Future Leaders in Football”.

Qëllimi i këtij Programi është zhvillimi i aftësive për të trajtuar Sfidat në Sport dhe Shoqëri.

Ky program u zhvillua më 1-7 tetor në Durrës të Shqipërisë.

 

Nderohen Emra dhe Konjusha, pensionohen nga basketbolli

Në finalen e Superkupës (4 tetor) mes pjesëve janë pensionuar dy basketbollistet shumë të trofeshme dhe të cilat ishin pjesë e Përfaqësueses A të Kosovës, Ulpiana Emra dhe Irma Konjusha.

Pensionimi i basketbollisteve Emra dhe Konjusha u bë me ceremoni zyrtare të përgatitur nga Federata e Basketbollit të Kosovës në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në basketbollin e Kosovës.

Emra dhe Konjusha janë ndër basketbollistet më të trofeshme në Kosovë, të cilat kanë arritur të fitojnë shumë trofe, si dhe janë stolisur me medaljen e bronztë në Kampionatin e Shteteve të Vogla në vitin 2021, ku kanë përfaqësuar Kosovën A.

 

 

FBK fituese e projektit “SAFEGUARDING THE FUTURE” në Erasmus +

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) (11 tetor) është njoftuar nga zyra e Erasmus + se është fituese e projektit SAFEGUARDING THE FUTURE, në të cilin projekt FBK është koordinatore, përderisa partnere të saj në janë Federata e Basketbollit të Estonisë, Federata e Basketbollit të Bullgarisë dhe Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK).

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku është shprehur shumë e lumtur që për herë të dytë FBK është fituese e projekteve në kuadër të Erasmus +, por që është kësaj radhe FBK është në rolin e Koordinatores:

“SAFEGUARDING THE FUTURE është një projekt që synon të krijojë mekanizma në Kosovë, Estoni dhe Bullgari që sigurojnë një përvojë basketbolli të sigurt, pozitive dhe argëtuese për të gjithë njerëzit e përfshirë në basketboll, me theks të veçantë tek fëmijët dhe të rinjtë. Qëllimi kryesor i projektit është të ndërmarrë veprime për të mbrojtur njerëzit nga çdo lloj abuzimi në basketboll. Për ta bërë këtë, projekti do të krijojë sisteme mbrojtëse për të gjitha federatat kombëtare të basketbollit, në Kosovë, Estoni dhe Bullgari. Ky projekt do të zgjasë 18 muaj, duke filluar nga janari 2024 deri në qershor 2025.

Krasniqi merr pjesë në Seminarin për Shëndetin Mental

Më 10 tetor për Ditën Botërore të Shëndetit Mental, Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar seminarin e dytë për shëndetin mental në sport.

Në këtë Seminar kanë marrë pjesë 40 trajnerë të federatave të ndryshme sportive.

Nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë pjesë Drejtori Teknik në FBK dhe trajneri i njohur dhe i trofeshëm, Arben Krasniqi.

Kurshumlija vëzhgues, Mumini gjyqtar në FIBA Europe Cup Women

Jo vetëm skuadrat kosovare do të paraqiten në garat evropiane.

FIBA Instruktori Nacional dhe Komesari i Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Faton Kurshumlija ka qenë vëzhgues në ndeshjen e grupeve në FIBA Europe Cup Women mes Ragusa Dubrovnik dhe Bursa Uludag Basketbol. Po në këtë sfidë ka gjykuar gjyqtari i njohur nga Kosova, Xhelal Mumini.

Kurshumlija dhe Mumini disa herë kanë qenë të deleguar në ndeshjet e FIBA Europe Cup Women.

Fetahu dhe Dushku në Munih për takim e FIBA Europe Youth Commission

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku (24.10.2023) kanë marrë pjesë në takimin e parë të FIBA Europe Youth Commission për mandatin 2023-2027. Kryetari Fetahu është nënkryetar i këtij komisioni, ndërsa Dushku është anëtare e Komisionit.

Për Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së ky është mandati i saj i dytë si anëtare e këtij komisioni, ndërsa për Fetahun kjo është hera e parë. FIBA Europe Youth Commission është një nga komisionet më të rëndësishme dhe më aktive të FIBA Evropës.

Agnesa Robaj dhe Dëfrim Hashani në FIBA Europe U14 Get-Together 2023

Trajnerja dhe trajneri me perspektiv të Kosovës, Agnesa Robaj dhe Dëfrim Hashani ishin pjesëmarrës në Klinikën e FIBA Europe U14 Get-Together 2023.

Programi u mbajt më 27-29 tetor në Estoril të Portugalisë.

Robaj dhe Hashani janë nominuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe së fundi e kanë përfunduar Kursin Teknik të FIBA-s që mbahet nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me FIBA-n dhe Komitetin Olimpik të Kosovës.

 

Kosova organizon FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier 2024-25

Për herë të parë në vendin tonë nga Federata e Basketbollit e Kosovës do të organizohet FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier 2024-2025. Ky organizim i është besuar FBK-së nga FIBA dhe FIBA 3x3, ku të gjitha palët e përfshira së fundi kanë nënshkruar një kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për dy vite të tjera (2026-2027).

FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier është një garë zyrtare në nivel të kombëtareve në të cilën marrin pjesë ekipet nacionale nga Federatat anëtare kombëtare të FIBA-s. Formati i ngjarjes: Dy ditë (08/09 qershor 2024)/Dy konkurrencat (meshkuj/femra) në Prishtinë.

Fetahu priti Komisionin Vlerësues për titullin “Prishtina, Qytet Evropian i Sportit 2024”

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu ka pritur më 31 tetor në zyrat e FBK-së Komisionin Vlerësues të ACES Europe, të cilët po e vizitojnë Prishtinën, me rastin e shpalljes zyrtare të kandidaturës për titullin “Prishtina, Qytet Evropian i Sportit 2024”. Fetahu ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ndihmë në organizimin e kësaj ngjarje, së bashku me Komunën e Prishtinës.

I pari i basketbollit të Kosovës nënvizoi për rëndësinë që ka sporti, veçanërisht basketbolli në vendin tonë dhe shtoi se FBK e Komuna e Prishtinës gjithmonë kanë bashkëpunuar në projekte të rëndësishme për të rinjtë dhe basketbollin e Kosovës. Përfaqësuesit e Komisionit Vlerësues të ACES Europe kanë vlerësuar lart angazhimin që po bëhet për sportin në kryeqytetin e Kosovës.

Vlora Braha, pjesëmarrëse në Punëtorinë e dytë për SPOC Personat në Athinë

Vlora Braha, Zyrtare për Integritet (SPOC) në Federatën e Basketbollit të Kosovës ka marrë pjesë në Punëtorinë e FIBA-s për SPOC personat.

Kjo është Punëtoria e dytë që mbahet për SPOC personat, derisa e para ishte organizuar në Munih të Gjermanisë.

Punëtoria u organizua 2 dhe 3 nëntor në Athinë të Greqisë.

Në këtë Punëtori kanë marrë pjesë përfaqësues nga Federatat Evropiane, gjersa FBK-në do ta përfaqësojë Vlora Braha.

Fillon JR NBA Kosova

Më 9 nëntor zyrtarisht ka filluar JR NBA Kosova.

Në Istog janë zhvilluar ndeshjet e para të Konferencës Lindore, Divizioni Atlantik të JR NBA Ligës.

Kjo Ligë organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor. Ky është edicioni i dytë i kësaj gare.

30 Shkolla Fillore të gjeneratës 11-13 vjeç janë ndarë në dy Konferenca, apo gjashtë Divizione. Tetë më të mirat e Konferencës kualifikohen në “Play-off” dhe më pas zhvillohet “Final Four”, ku shpallet skuadra kampione.

Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për Projektin “Sporti në Shkolla”

Më 13 nëntor është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit për Projektin “Sporti në Shkolla” ndërmjet Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës së Shahut të Kosovës. Qëllimi i këtij Memorandumi është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës (FSSHRK), Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federatës së Shahut të Kosovës (FSHK) rreth implementimit të projektit ‘Sporti në Shkolla’, projekt ky i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Prezantohet Programi shtetëror “Sport në Shkolla"

Ministria e Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me Federatat Sportive ka hartuar programin “Sport në Shkolla” përmes së cilit po krijohet mundësia që të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar në Kosovë të jenë pjesëmarrës të rregullt në sport dhe aktivitete fizike.

Pjesë e këtij programi është edhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me basketbollin 3x3.

Në prezantimin e Programit më 15 nëntor kanë marrë pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Menaxherja e Projekteve, Edita Medunjanin.

Përcaktohen përzgjedhësit e grupmoshave të reja

Federata e Basketbollit e Kosovës ka përzgjedhur përzgjedhësit e grupmoshave të reja.

Te Kosova U16 Meshkujt përzgjedhës do të jetë Dion Pllana, ndërsa ndihmëstrajner Dëfrim Hashani.

Te Kosova U16 Femrat përzgjedhës do të jetë Hasan Bytyqi dhe ndihmëstrajnere Melda Baliqi.

Te Kosova U18 Meshkujt përzgjedhës do të jetë Brahim Veseli dhe ndihmëstrajnerët Elbesar Gështenja dhe Hekuran Husaj.

Kosova U20 Meshkujt do të vazhdohet të drejtohet nga Dritëro Sefaja me ndihmëstrajner Safet Kastrati.

Peja luftoi deri në fund, por nuk arriti kualifikimin nga grupet e FIBA Europe Cup

Peja garoi në grupet e FIBA Europe Cup, ku edhe pse ishte afër, nuk arriti kualifikimin.

Verdhezinjtë e mbyllën aventurën në FBA Europe Cup me dy fitore e katër humbje, duke u renditur në vendin e tretë të Grupit H, me shtatë pikë, Spojnia Stargard ishte e dyta me 9 pikë, ndërsa skuadra gjermane, Chemnitz lidere e grupit me 12 pikë, duke shënuar të gjitha fitore. Heroes Den Bosch mbeti e fundit me shtatë pikë.

Kampionët e Kosovës shënuan fitore ndaj Heroes Den Bosch me rezultat 99:84, si dhe kundër Spojnia Stargard 79:83.

 

Trepça për herë të parë në grupet e FIBA Europe Cup

Fituesja e Kupës dhe Superkupës së Kosovës për herë të parë mori pjesë në grupet e FIBA Europe Cup.

Mitrovicasit ishin në grup me BCM Gravelines Dunkerque, ZZ Leiden, si dhe Hapoel Galil Elion. Kjo e fundit u tërhoq nga garat për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

‘Xehetarët’ kishin katër ndeshje në grup, ku shënuan një fitore, BCM Gravelines Dunkerque, 76:68 dhe tri humbje, ku nuk arritën kualifikimin tutje.

Paraprakisht në kualifikimet për grupet e FIBA Europe Cup, kishin triumfuar në Estoni, ndaj Tindastoll dhe Parnu Sadam.

Fetahu mori pjesë në mbledhjen e Bordit të FIBA Evropës

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu më 24 nëntor ka marrë pjesë në mbledhjen e Bordit të FIBA Evropës.

Mbledhja u mbajt në Gjenevë të Zvicrës, derisa për të parin e basketbollit të Kosovës kjo është mbledhja e radhës që është pjesëmarrës.

Kujtojmë që në maj, Fetahu është zgjidhur anëtar i Bordit të FIBA Evropës, një sukses i madh jo vetëm për basketbollin e Kosovës, por sportin e Kosovës.

Kosova organizon FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla – Femrat dhe FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizoni C – Femrat

Pas votimit në mbledhjen e Bordit të FIBA Evropës në Gjenevë, Federata e Basketbollit e Kosovës, zyrtarisht do të organizojë dy evente madhështore evropiane në Kosovë si: FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – Femrat dhe FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C – Femrat.

Gara e parë do të mbahet më 25-30 qershor 2024 kurse e dyta më 23-28 korrik 2024.

FBK prej se është anëtarësuar në FIBA më 2015, rregullisht merr pjesë në FIBA Kampionate Evropiane të Gjeneratave të Reja në të dyja konkurrencat.

Kosova me 5 kombëtare të reja në garat evropiane për vitin 2024

Më 24 nëntor, Bordi i FIBA Evropës ka vendosur se ku do të organizohen kampionatet për grupmosha të reja, si dhe për FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla te meshkujt dhe femrat.

Në mbledhjen, ku mori pjesë edhe Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu si anëtar i Bordit, u vendos që Kosova të jetë organizatore për FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla te femrat, si dhe Kampionatin Evropian, Divizioni C për femra U18. Ky kampionat do të organizohet nga 23 deri më 28 korrik.

Kosova do të marrë pjesë me U20 te meshkujt në Divizionin B, që zhvillohet në Rumani nga 12 deri më 21 korrik.

Kosova me U18 meshkujt do të garojë në Divizionin B, që zhvillohet në Maqedoninë Veriore, nga 26 korriku deri më 4 gusht.

Kosova U16 meshkujt do të luajë në Durrës të Shqipërisë, në Divizionin C nga 9 deri më 14 korrik

Kosova U16 te femrat do të garojë në Divizionin B, ku Turqia pritet të konfirmohet si organizatore, nga 15 deri më 24 gusht.

Mbahet Klinika për Basketbollin 3x3

Më 25 nëntor është mbajtur Klinika e Basketbollit 3x3 ku ka ligjëruar eksperti ndërkombëtar, Jaume Comas.

Klinika ka qenë për Arsimtarët/et të cilët do të angazhohen në cilësinë e trajnerit/es për fëmijët në Programin “Sport në Shkolla”, pjesë e të cilit është edhe Federata e Basketbollit e Kosovës me basketbollin 3x3.

Ky Program është hartuar nga Ministria e Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës. 

Pjesë e këtij Projekti janë Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Shahut të Kosovës.

Adriatik Rraci përfundon me sukses Programin FIBA Players Mentorship

Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci ka përfunduar me sukses FIBA Players Mentorship Program.

Rraci, këtë Program e ka ndjekur përmes ligjëratave online, të cilat janë zhvilluar gjatë muajit Tetor 2022 dhe muajit Mars 2023. Për ta përfunduar këtë Program duhet kompletuar të gjitha fazat, siç janë: Athlete Lifestyle Mentor Certificate, FIBA Off - Court Guide, Individual Assignment.

Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës ka përfunduar me sukses të gjitha detyrat e kërkuara dhe në fund ka diplomuar me sukses.

Arritje e jashtëzakonshme, Braha nominohet në FIBA EuroBasket 2025 Qualifiers

Vlora Braha është nominuar si ndihmëse e Delegatit Teknik në ndeshjen Italia-Turqia, e vlershme për FIBA EuroBasket 2025 Qualifiers.

Ky është nominimi i parë të cilin Federata e Basketbollit e Kosovës e pranon në këtë kompeticion. 

Braha paraprakisht ka përfunduar me sukses të gjitha testet, si dhe ka ndjekur Punëtoritë që janë zhvilluar nga FIBA.

Kjo është dëshmi që, FBK është e vendosur në masivizimin e grave në basketboll. Delegimi i ish-basketbollistes së njohur në Kualifikimet e FIBA EuroBasket 2025 është e arritur shumë e madhe për vetë Brahën, por edhe për FBK-në, si dhe për gratë në përgjithësi.

Bushati pritet nga krerët e FBK-së, dakordohen për Ligën Unike

Krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 7 dhjetor kanë pritur Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Franko Bushati, i cili sapo është emëruar në këtë pozitë, ndërsa ishte i shoqëruar nga Ersi Oruci, përgjegjës për Ligën Unike në FSHB.

Bushati dhe Oruci janë pritur në FBK nga numri një i FBK-se, Arben Fetahu, Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku dhe Menaxheri i Përfaqësueseve, Adriatik Rraci.

Kryetari Fetahu e ka uruar Bushatin për pozitën e re në FSHB, duke i uruar suksese, si dhe bashkëpunim maksimal në zhvillimin e basketbollit në Shqipëri.

Krerët e FBK-së dhe Bushati kanë folur për projektet e përbashkëta, me theks të veçantë vazhdimin e projektit të Ligës Unike.

Ndarja nga jeta e trajnerit Illmen Bajra

20 dhjetori i këtij viti ishte një ditë e rëndë për basketbollin e Kosovës.

Në këtë datë ndërroi jetë trajneri i basketbollit Illmen Bajra, duke shokuar komunitetin e basketbollit.

Ai ndërroi jetë në moshën 32 vjecare, duke lënë të pikëlluar familjen, shoqërinë, por edhe të gjithë basketbolldashësit.

Me këtë rast, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka dërguar një telegram ngushëllimi.

“Me zemër të thyer e pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit tuaj e pjesëtarit të komunitetit tonë - Illmenit.

Illmenin do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri të afërt e të dashur, si një punëtor të madh dhe një person të apasionuar pas sportit të zemrës sonë, të cilit ia ka kushtuar tërë karrierën e tij profesionale. Bajra ishte bashkëpunues me kolegët, me lojtarët dhe lojtaret, si dhe me të gjithë bashkëpunëtorët, ndaj të cilëve tregonte shumë respekt e dashuri. Jam i bindur që ikja e parakohshme e tij në amshim e ka shokuar tërë komunitetin e basketbollit në vend, ashtu siç më shokoi mua dhe kolegët në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Përkundër lajmeve të rënda që po merrnim tash e sa ditë nga familja Bajra për gjendjen e tij, ne vazhdonim të shpresojmë se zemra e madhe prej sportisti e Illmenit do ta përballonte edhe këtë sfidë. Për fat të keq, sot ajo që druanim më së shumti, u bë realitet”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit.

Laureatët e vitit 2023, çmimet kryesore ‘rrëmbejnë’ Përquku dhe Hajrizi

Më 21 dhjetor, Federata e Basketbollit e Kosovës në një ceremoni gala ka organizuar Laureatët e Vitit 2023, ku janë shpallur më të mirët e vitit në basketboll dhe ata që kanë kontribuar për sportin tonë të dashur.

Fillimit janë nderuar veteranët, ku veteran i vitit është shpallur Profesori i nderuar, Masar Nixha, ndërsa veterane, legjenda e basketbollit të femrave, Resmije Juniku. Punëtori më i dalluar sportiv ishte kryetari i KB Vëllaznimit, Ideal Bakija. Ndërkohë, gjyqtari i vitit është shpallur Xhelal Mumini.

Çmimi i publikut i dhuruar nga Art Motion me vota nga publiku kanë shkuar te Elektra Zykaj te femrat dhe Drilon Hajrizi te meshkujt.

Ndërkohë, Shpresa e Vitit te meshkujt është zgjedhur Jon Ismajli, kurse te femrat Malvina Haziri.

Trajner i vitit 2023 është shpallur Dritëro Sefaja, përzgjedhës i Kosovës U20 të meshkujve dhe i gjeneratave të reja të Marigona-s.

Klubi më i mirë i vitit te meshkujt është shpallur kampionia e Kosovës, Peja.

Ky çmim me plotë meritë te femrat i ka takuar KBF Bashkimit, që fitoi tre trofetë e mundshëm në basketbollin e Kosovës, titullin, Kupën dhe Superkupën.

Pas saj ishte radha për Top 5 te femrat, ku ishin: Arbnore Përquku e Bashkimit, Astera Tuhina, që luan në SHBA, Aulona Muhadri e Bashkimit, Elektra Zykaj e Prishtinës dhe Vanesa Bojku e Penzës.

Te Top 5 meshkujt ishin: Drilon Hajrizi i Trepçës, Arian Qallaku i Pejës, Art Hajdari i Pejës/Sigal Prishtinës/Proton Cable Prizrenit, Dardan Berisha i Sigal Prishtinës dhe Gëzim Morina i Golden Eagle Yllit.

Basketbollistja më e mirë e vitit është shpallur Arbnore Përquku, që fitoi tre trofetë me Bashkimin.

Basketbollisti më i mirë i vitit 2023 është shpallur Drilon Hajrizi i Trepçës, që fitoi Kupën e Superkupën, garoi me mitrovicasit në FIBA Europe Cup dhe ishte pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës.

Në fund, por jo nga rëndësia kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka zbuluar edhe logon e Superligës së Femrave, si dhe identitetin e ri në basketbollin femëror. Fetahu është shprehur se, kjo është pjesë e projektit të FBK-së dhe Federata gjithmonë i ka kushtuar rëndësi basketbollit të femrave.

Ceremonia ka nisur me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të trajnerit të basketbollit, Illmen Bajra.

FBK organizon kampanjë me dhurata për fëmijët

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në bashkëpunim me klubet dhe sponsorët ka organizuar vizita në qendra të fëmijëve në vende të ndryshme të Kosovës. Këtë udhëtim me shumë dashuri e filluam në SOS Fshat në Prishtinë në bashkëpunim me KB Sigal Prishtina, KBF Prishtina dhe sponsorin Prince Caffe.

Fëmijët patën rastin të takohen me lojtarët e tyre të preferuar, Dardan Berishën, Diellza Dekajn, Lejson Zeqirin, Elektra Zykajn e Malvina Hazirin për të shkëmbyer përvojat e tyre, ndërsa fëmijët na dhuruan dashuri e mirësi pa fund.

FBK është pritur në mënyrë të ngrohtë ku janë njoftuar për punën që po bëhet dhe përkushtimin ndaj fëmijëve. Gjithashtu FBK edhe një herë tjetër ka theksuar se është e hapur për bashkëpunime të mëtejshme me SOS Fshatin.

Më pas kampanja është organizuar në Pejë, Mitrovicë dhe Gjakovë, duke ndihmuar fëmijët që kanë nevojë, ku kanë marrë pjesë sponsorët tjerë të FBK-së dhe basketbollistët e basketbollistet nga klubet e Kosovës.

Federata e Basketbollit e Kosovës falënderon përzemërsisht të gjithë palët e përfshira në këtë aktivitet, që për qëllim pati gëzimin e fëmijëve në prag të festive të fund vitit.

Pensionohet Alban Veseli

Një nga lojtarët më të mirë vendorë në dekadat e fundit vendosi t’i jep fund basketbollit aktiv.

Numri 8, Alban Veseli, pas shumë trofeve të fituar, mori vendimin aspak të lehtë, për tu larguar nga basketbolli.

Albani ka qenë pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës, duke luajtur për Dardanët pas pranimit në FIBA deri më 2021, ku kishte 18 ndeshje me Kosovën dhe kishte paraqitje mjaft të mira. Veseli kishte paraqitje ndërkombëtare me Sigal Prishtinën dhe Pejën, aty ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij. Numri 8 luajti në grupet e FIBA Europe Cup dhe kualifikimet e Ligës së Kampionëve, si dhe në Ligën Ballkanike.

‘Snajperisti’ përveç Sigal Prishtinës dhe Pejës, luajti edhe për Rahovecin, Bashkimin, Ponte Prizrenin e Golden Eagle Yllin. Albani me skuadrën kryeqytetase ka tetë tituj të fituar, ndërsa me atë verdhezi dy tituj (2013 dhe 2023), të vetmit tituj që ka fituar Peja në dekadën e fundit.

33 vjeçari përveç dhjetë titujve të kampionit, ka fituar edhe shumë Kupa e Superkupa, duke e bërë atë lojtar shumë të trofeshëm dhe të kompletuar, duke marrë parasysh që ka luajtur edhe në arenën ndërkombëtare.

Përfundon afati kalimtar në basketboll

Më 25 dhe 26 dhjetor ka qenë i hapur afati kalimtar në basketboll te meshkujt.

Klubet e elitës së basketbollit kanë bërë disa përforcime me vendorë, duke bërë që stinori pranveror të jetë edhe më interesant, kurse për lojtarët e huaj, afati është deri më 29 shkurt 2024.

Sigal Prishtina ka transferuar Henrik Sirkon nga Golden Eagle Ylli, Malcolm Armstead nga Peja dhe Qëndrim Demin nga Drita.

Golden Eagle Ylli ka transferuar Ervin Mullaaliun nga Proton Cable Prizreni.

Peja ka transferuar Jetmir Zeqirin nga Sigal Prishtina dhe Musab Malën nga Proton Cable Prizrenin.

Bashkimi ka transferuar Lejson Zeqirin nga Sigal Prishtina.

Vëllaznimi ka huazuar Daniel Lekndreaj nga Sigal Prishtina.

Istogu ka transferuar dyshen vendore Drilon Shala nga Golden Eagle Ylli dhe Donat Rexhepin nga Vëllaznimi.

Presidentja nderon legjendat e basketbollit 

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni zyrtare ka dekoruar me Medalje Presidenciale të Meritave legjendat e basketbollit të Kosovës, z.Mithat Belegu, znj.Resmije Juniku dhe z.Masar Nixha.

Belegu, Juniku dhe Nixha janë legjenda të basketbollit të Kosovës, ku kanë kontribuar me dekada të tëra në sportin tonë të dashur.

Ata kanë merita të mëdha në sukseset e basketbollit të Kosovës dhe pandërprerë kanë ndihmuar e kontribuar në basketboll, duke mos u larguar asnjëherë nga ky sport, shumë i dashur dhe i çmuar për ne.

Për këtë arsye, Presidentja e Kosovës ka ndarë Medalje në shenjë kontributi për ndihmën e dhënë në basketbollin, por edhe sportin e Kosovës.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar sonte mbrëma, kanë marrë pjesë edhe Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, Nënkryetarja e FBK-së, Linda Shala, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Drejtori Teknik në FBK, Arben Krasniqi.

Gjithashtu kishte shumë personalitete nga vendi në këtë event shumë të rëndësishëm të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës për fundvit.




Lexo dhe:

Supported by:
General Sponsor:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters:
Supported by:
General Sponsor:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters: