Trepça ka triumfuar në derbin e kësaj xhiro, duke mundur Pejën si mysafire me rezultat 69:85 (18:23, 22:18, 15:22, 14:22), në javën e 17-të të Prince Caffe Superligës.
Pas një fillimi të baraspeshuar, mysafirët u shkëputën në 10:19, por verdhezinjtë nuk u dorëzuan dhe afruan rezultatin në 18:19, sidoqoftë, ‘Xehetarët’ e fituan çerekun e parë 18:23. Mitrovicasit ishin në epërsi konstante në periudhën e dytë, por në fund të saj, pejanët me një seri të suksesshme afruan shifrat në 40:41, sa përfundoi pjesa e parë, që ishte shumë e luftuar në parket dhe e fortë.
Kampionët vazhduan me lojë të mirë për të kaluar në epërsi 47:43, por nga ky moment mitrovicasit sërish hyjnë në një seri të suksesshme dhe deri në fund të ndeshjes ishin në epërsi, duke mos e rrezikuar fitoren dhe kështu edhe ndodhi, duke triumfuar 69:85.
Më i miri te Peja ishte Justin Davis me 22 pikë e tetë kërcime, kurse te Trepça u dalluan Cevin Davis me 20 pikë e shtatë kërcime, Jordy Tshimanga me tetë pikë e 16 kërcime dhe Drilon Hajrizi me 12 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime.
Peja mbetet e dyta me 12 fitore e pesë humbje, kurse Trepça e para me 15 fitore e dy humbje.