Trepça ka shënuar fitoren e 11-të radhazi në Prince Caffe Superligë, ndonëse jo pa vështirësi, kësaj radhe ndaj Vëllaznimit me rezultat 88:79 (24:16, 19:31, 20:17, 25:15).
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen më mirë me një seri prej 4:12, por kundërpërgjigja e vendasve nuk vonoi për të përmbysur shifrat në 18:12, me një seri prej 14:0, ndërsa çereku i parë përfundoi 24:16. Kjo ndeshje ishte e destinuar për rikthime, pasi periudha e dytë ‘foli’ në të mirë të mysafirëve që përmbysën rezultatin dhe shkuan në pushim me rezultat 43:47.
Edhe në periodën e tretë, herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, duke bërë që fituesi të vendoset në dhjetë minutat e fundit, e në këtë pjesë, mitrovicasit u mobilizuan dhe në fund ishin më të vëmendshëm për të fituar 88:79.
Te vendasit u dalluan Darnell Edge me 22 pikë dhe Dardan Kapiti me 16 pikë e katër kërcime, kurse te mysafirët më i miri ishte Samuel Sessoms me 21 pikë.
Trepça vazhdon të jetë lidere me 16 fitore e dy humbje, ndërsa Vëllaznimi në vendin e pestë me tetë fitore e dhjetë humbje.