Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri tek Asambleja e Punës për vitin 2020 dhe Asambleja Zgjedhore e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), që do të mbahet ditën e enjte me fillim nga ora 15:00 në Hotel “Emerald” në Prishtinë.
Nënkryetarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Linda Shala është kandidate e nominuar nga FBK për Kryetare të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Krahas pozitës së Kryetares së KOK-ut, FBK e ka nominimuar edhe Kryetarin e FBK-së, Arben Fetahun për pozitën e nënkryetarit të KOK-ut.
Ndërkaq dy kandidatët e tjerë për Kryetar të KOK-ut janë Besim Hasani – Kryetar aktual i KOK-ut dhe Ismet Krasniqi, Kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës.
Duke e konsideruar Komitetin Olimpik të Kosovës një organizatë shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë që ka për mision të zhvillojë, promovojë dhe mbrojë Lëvizjen Olimpike në Kosovë, në pajtueshmëri me Kartën Olimpike, Shala mendon se është nevojë e kohës që organizimi dhe performanca e të gjitha organeve të Komiteti Olimpik të Kosovës të ngritët në nivelin më të lartë të mundshëm, të përkojë me nevojat e komunitetit sportiv dhe shoqërisë në përgjithësi, e veçanërisht të gjeneratave të reja dhe kohës së digjitalizimit që po e jetojmë. Nisur nga kjo ajo e ka përgatitur vizionin e saj në 10 pika orientuese që kjo të arrihet:
- Plani Strategjik 2022-2026 në krijimin e kushteve adekuate për sportistët për arritjen e rezultateve kulmore.
- Faktorizimi i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatave Sportive në vendimmarrje në proceset e planifikimit dhe realizimit të hapësirave sportive, si parakusht për zhvillimin e sportit, duke siguruar se investimet bëhen drejtë dhe saktë.
- Hartimi i kalendarit vjetor të aktiviteteve sportive, kulturore dhe shoqërore me përfshirje masovike që do të promovojë frymën olimpike mes gjeneratave të reja dhe shoqërisë në përgjithësi.
- Ngritja e vazhdueshme e kuadrove profesionale në sport. Edukimi Olimpik, bashkëpunimi profesional me organizatat ndërkombëtare në programet nacionale për zhvillimin e disiplinave sportive në vend.
- Ngritja e nivelit të komunikimit me, qytetaret, sportistet, rininë, institucionet, dhe bizneset që të promovohen vlerat olimpike dhe sukseset e sportistëve tanë.
- Ngritja e përfaqësimit të vajzave dhe grave në sport në të gjitha nivelet, po edhe më gjerë.
- Diversifikimi i burimeve të financimit dhe rritja e buxhetit të KOK-ut.
- Mbështetje për aftësim profesional të sportistëve pas përfundimit të karrierës sportive me qëllim të sigurimit të punësimit dhe mbështetje të ndërmarrësisë së tyre.
- Muzeu i sportit dhe digjitalizimi i të gjitha dokumentacioneve ndër vite të historisë së zhvillimit të sportit në Kosovë.
- Avancimi i përfaqësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe organet e KON-it, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare që profesionistët e sportit dhe Kosova të kenë përfitime direkte dhe të promovohen në arenën ndërkombëtare.
Në attachment mund ta gjeni Biografinë dhe Vizionin e kandidates për Kryetare të KOK-ut, Linda Shala, njëherësh nënkryetare e Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Kliko për të shkarkuar biografinë e Linda Shalës...