Sigal Prishtina kompleton katërshen gjysmëfinaliste të “Play-offit”, pasi fitoi ndeshjen e tretë çerekfinale ndaj Vëllaznimit me rezultat 83:73 (33:19, 15:16, 14:21, 21:17).
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë me seri 7:0 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, për tu shkëputur në fund dhe për të fituar këtë pjesë 33:19. Megjithatë, periudha e dytë ishte më e barabartë dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat 48:35.
Por, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe në periodën e tretë afruan shifrat në 53:48, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 62:56. Në dhjetë minutat e fundit, përkundër tentimeve nga mysafirët, bardhekaltrit ruajtën epërsinë dhe triumfuan me dhjetë pikë dallim, 83:73.
Më i miri te Sigal Prishtina ishte Diamond Stone me 28 pikë e 11 kërcime, derisa te Vëllaznimi më i miri ishte Myreon Jones me 22 pikë.
Sigal Prishtina në gjysmëfinale do të ndeshet me Trepçën, ku mitrovicasit kanë përparësinë e terrenit vendas, derisa gjysmëfinalja tjetër është Peja-Golden Eagle Ylli, duke premtuar spektakël të basketbollit.