Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të përballen në finalen e pestë të “Play-off”-it, ku do të vendoset se, kush do të shpallet kampion i Kosovës.
Mitrovicasit në edicionin e rregullt përfunduan në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me pikë të barabarta me Pejën që ishte e dyta me 19 fitore e nëntë humbje.
Trepça në gjysmëfinale eliminoi Sigal Prishtinën 3:0, derisa Golden Eagle Ylli, në çerekfinale mundi Bashkimin 2:0 dhe Pejën në gjysmëfinale 3:2.
Në garat e rregullta të elitës, të dy skuadrat kishin nga dy fitore ndaj njëra tjetrës, derisa mitrovicasit triumfuan edhe në Ligën Unike ndaj therandasve dhe në gjysmëfinale të Kupës.
Në “Play-off”, seria finale është 2:2, ku të dy skuadrat shënuan fitore si vendas. ‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.
Finalja e pestë që zhvillohet të enjten mbrëma do të vendosë se, kush do të fitojë titullin.
Ylli e ka fituar dy herë, më 2021 dhe 2022, kurse Trepça më 1993, 2000, 2001 dhe 2012.