Më 13 korrik ka përfunduar Kampi Nacional i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në kuadër të projektit Youth Development Fund (YDF).
Kampi filloi më 8 korrik, duke mbledhur fëmijët e lindur në vitet 2011-2012 dhe është zhvilluar në ambientet e Gjimnazit “Loyola” në Prizren.
Kampi zhvillohet çdo vit nga Federata e Basketbollit e Kosovës, që ka synim zhvillimin dhe gjetjen e talenteve për të ardhmen.
Gjatë këtyre ditëve fëmijët janë stërvitur intensivisht nën mbikëqyrjen e trajnerëve/eve.
Fokusi kryesor i trajnimeve ka qenë zhvillimi i teknikave themelore të basketbollit, zhvillimi i aftësive individuale dhe kolektive, si dhe në nxitjen e shpirtit të garës dhe bashkëpunimit ndërmjet fëmijëve.
Qëllimi i Kampit Nacional është të kontribuojë në formimin e fëmijëve si lojtarë/e të ardhshëm/e potencialë/e për ekipet kombëtare të Kosovës.
Duke i ekspozuar ata ndaj një ambienti profesional dhe trajnimeve intensive, FBK synon të identifikojë dhe të kultivojë talentet e reja që do të përfaqësojnë vendin në garat ndërkombëtare.