Ka përfunduar me sukses kampi i organizuar nga Kosovo Heritage Basketball Academy në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës. Kampi kishte filluar nga 29 korrik deri sot me 2 gusht i cili u zhvillua në Prishtinë dhe mblodhi fëmije nga e gjithë Kosova.
Pas seancave të përditshme stërvitore sot është mbajtur All Star final njëditor, ku janë shpallur MVP tek të dyja konkurrencat.
Tek gjeneratat e reja nga 8 deri 12 vjeç janë zgjedhur MVP Dea Mullaliu dhe Ledri Haxhimurati kurse tek gjenerata nga 13 deri në 16, MVP janë zgjedhur Era Broja dhe Bleron Bajgora.
Pjesë e stafit teknik të kampit kanë qenë, Edona Thaqi, e cila është ish basketbolliste e Universitetit Fordham si dhe ndihmës trajnere e Përfaqësueses A (F), Brian S. Kriftcher, trajner i suksesshëm i basketbollit si dhe themeluesi i Fondacionit Rinor të Paqes Stamford, i cili përfshin programin e tij të nivelit të lartë PEACE Basketball AAU, Sarah Kustok, e cila është analiste zyrtare në NBA dhe shërben si analiste e NBA, WNBA dhe Basketbollit të Kolegjit në Fox Sports. Gjithashtu Falecia Porter, bashkëthemeluese dhe drejtuese e operacioneve të biznesit në Progression Training që ndodhet në Groton, Connecticut, dhe Keith Porter, trajnere në WNBA dhe ish-basketbolliste profesioniste në Spanjë dhe Puerto Riko.
Gjithashtu kampi është vëzhguar nga afër edhe nga, Granit Rugova, Drejtor i Programeve dhe Projekteve Zhvillimore si dhe Edita Medunjanin, Menaxhere e Projekteve në FBK.
Ky është viti i dytë radhazi që është organizuar Kosovo Heritage Basketball Academy.