Në një ceremoni zyrtare është hedhur shorti për edicionin e ri të JR NBA Kosovës.
Projekti për vitin e tretë radhazi po realizohet në vendin tonë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes NBA dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe bashkëpunimit të ngushtë me Federatën e Sportit Shkollor.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka folur për rëndësinë e këtij Projekti, që është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e gjeneratave të reja.
Sekretari i Federatës së Sportit Shkollor, Agron Dubovci u shpreh se, tashmë kanë fituar përvojë dhe ky edicion do të jetë më i suksesshëm.
Drejtori i Projekteve dhe Programeve Zhvillimore në FBK, Granit Rugova ka folur rreth realizimit të edicionit të tretë të këtij projekti, duke besuar se do të jetë i frytshëm për fëmijët në vendin tonë.
Ceremonia u organizua në Shkollën Fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.
30 Shkolla Fillore të gjeneratës 11-14 vjeç janë ndarë në dy Konferenca, apo gjashtë Divizione, ku më pas zhvillohet faza e “Play-off-it”, si dhe “Final Four”, për të shpallur skuadrën kampione.
Garat do të organizohen në pesë regjione të mëdha të Kosovës si Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Pejë dhe Prizren.
Në regjionin e Prishtinës është edhe Fushë Kosova, në regjionin e Ferizajt edhe Kaçaniku dhe Lipjani, në regjionin e Gjilanit edhe Vitia, të Pejës edhe Istogu, si dhe të Prizrenit edhe Theranda.
Ky do të jetë edicioni i tretë i JR NBA Kosovës, që ka për synim zhvillimin e gjeneratave të reja.