Anëtarja e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Linda Shala ka folur në konferencën për “Barazinë Gjinore dhe Diversitetin” me temën "Loja e Barabartë - Gratë në Udhëheqje".
Konferenca është organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të suksesshëm në Kosovë, që kanë ndikim nga fusha të ndryshme, derisa paneliste ishte edhe Linda Shala, anëtare e Bordit të FBK-së.
Shala ka folur për rëndësinë që FBK i jep barazisë gjinore.
Linda, si një grua model dhe sipërmarrëse e suksesshme, ka shtuar se këto konferenca dhe bashkëbisedime janë shumë të rëndësishme për këtë fenomen, që është i pranishëm në mbarë botën.
Panelistët dhe pjesëmarrësit kanë diskutuar për këto tema, duke theksuar se sa e rëndësishme është barazia gjinore.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësuese nga Federata e Basketbollit e Kosovës, si Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, anëtarja e Bordit të FBK-së, Teuta Abdullahu, si dhe nga Zyra Ekzekutive e FBK-së.
Qëllimi i kësaj konference ka qenë që të promovojë dhe nxisë rritjen dhe përfshirjen e vajzave dhe grave në sport, si dhe në fusha të ndryshme, përfshirë edukimin, ekonominë, inovacionin, shkencën, shëndetësinë, barazinë dhe diversitetin, gazetari dhe media, mjedisin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fëmijëve.