Sqarim

Sqarim

06/01/2025

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) shpreh brengë të thellë lidhur me hutinë e shpërfaqur ditëve të fundit në publik mbi projektin e palestrës multi-funksionale të cilin FBK e ka përgatitur me përkrahje dhe koordinim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe FIBA.

MKRS në janar të vitit 2024 ka ndarë mjetet e nevojshme për realizimin e projektit, ndërsa FBK ka koordinuar dizajnin final të palestrës dhe është pajtuar me Komunën e Prishtinës që lokacioni më i përshtatshëm për këtë qëllim është parcela përballë kampit zhvillimor dhe stadiumit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në Hajvali. Teksa FBK ka kryer detyrat e veta rreth kompletimit të projektit zbatues për palestrën, tash e sa kohë mbetet në pritje të marrjes së vendimit për ndarjen e lokacionit nga Komuna e Prishtinës për të vazhduar me procedurat e marrjes së pëlqimeve të nevojshme dhe procedurave për ndërtim.

Për hir të sqarimit, projekti i palestrës multifunksionale të sporteve me dorë është konceptuar si palestër që do të përmbushë nevojat e komunitetit për kapacitete stërvitore. Projekti është përgatitur nga FBK-së në dy forma, një nga të cilat është palestra si godinë individuale e pajisur me të gjitha stabilimentet dhe pajisjet e nevojshme për zhvillim të stërvitjeve dhe ndeshjeve, me kapacitet të ulëseve deri në 700 sish, ndërsa tjetra përveç godinës së palestrës parasheh edhe ndërtimin e një konvikti me mbi 50 shtretër, restaurantit dhe hapësirave për organizimin e trajnimeve teorike, e cila do të përmbushë nevojat e klubeve dhe federatave sportive për kampe stërvitore, si qendër për zhvillim të sportistëve kulminantë. Tipar kryesor i këtyre palestrave që do të ndërtohen anembanë Kosovës është mundësia e ndarjes së terrenit kryesor në tri terrene të basketbollit apo volejbollit njëkohësisht, pajisjet teknike kulminante, shtatë zhveshtoret e pajisura sipas standardeve evropiane, hapësirave të mjaftueshme teknike dhe të zyrave, salla e fitnesit dhe peshëngritjes, me çka do të kompletohet një projekt infrastrukturor që do t’i shërbejë zhvillimit dhe përpunimit të talentit lokal, por edhe organizimit të garave kombëtare e ndërkombëtare për grupmoshat e reja. Lokacioni i përzgjedhur është konsideruar si i përkryer për shkak të sinergjisë që krijohet mes kapaciteteve infrastrukturore sportive e hotelierike që veç janë zhvillim nën ombrellën e FFK dhe kapaciteteve të siguruara përmes zhvillimit të projektit të palestrës multi-funksionale dhe konviktit të saj, duke zhvilluar kësisoj një kompleks sportiv modern që përmbushë nevojat e sportistëve për përgatitje bazike dhe për organizimin e kampeve zhvillimore.

Projekti i palestrës multi-funksionale sportive, i cili ka për qëllim t’i shërbejë komunitetit të sportit si qendër stërvitore për të gjitha sportet me dorë dhe futsallit, është hartuar nga FBK dhe është përfshirë si pjesë integrale e programit afatgjatë zhvillimor të basketbollit në Kosovë. Sipas marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ky projekt do të realizohet në dhjetë lokacione në nëntë komuna të Kosovës (dy në Prishtinë dhe tetë në qendrat tjera) dhe ka për qëllim rritjen e kapaciteteve infrastrukturore sportive të vendit, me synimin kryesor identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj. Duhet sqaruar gjithashtu që ky projekt nuk është pjesë e programit qeveritar të Republikës së Kosovës për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, dhe është sajuar enkas për ngritje të kapaciteteve infrastrukturore zhvillimore të cilat aq shumë i mungojnë vendit tonë.

FBK fton Komunën e Prishtinës të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vërë në dispozicion parcelën e paracaktuar bashkërisht, duke na mundësuar fillimin e implementimit të infrastrukturës më se të nevojshme fizike për zhvillimin e sportit tonë të zemrës duke i shërbyer kështu objektivave strategjike të sportit në Kosovë.

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners