Federata e Basketbollit e Kosovës shënon edhe një arritje të rëndësishme ndërkombëtare, duke pasur dy përfaqësuese të saj në një nga ngjarjet më prestigjioze të FIBA-s.
Artina Hasani (Menaxhere e Eventeve) dhe Rrezarta Kqiku (Asistente Ekzekutive) ishin pjesë e stafit të Komitetit Organizativ Lokal në FIBA EuroBasket 2025 - Pre-Qualifiers, të mbajtur në Limassol, Qipro.
Kontributi i tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve dëshmon profesionalizmin, përkushtimin dhe vizionin e stafit të FBK-së, duke treguar se Kosova ka kapacitete dhe njerëz që mund të kontribuojnë në ngjarjet më të larta të basketbollit evropian.
Kjo përvojë është një hap i madh jo vetëm për zhvillimin personal të tyre, por edhe për prezencën e Kosovës në arenën ndërkombëtare të basketbollit.
Ato u shprehën njëzëri me krenari për faqen e FBK-së:
“Të jesh pjesë e stafit të LOC në EuroBasket është një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e veçantë. Kemi mësuar shumë nga kjo përvojë dhe jemi të bindura se mësimet e fituara do t’i reflektojmë edhe në organizimet tona në të ardhmen. Shpresa jonë është që një ditë edhe Kosova të ketë mundësinë të organizojë një grup të EuroBasket-it.”
Eventi në Qipro ka mirëpritur kombëtaret gjigante të basketbollit si Greqia, Spanja, Italia, Bosnja dhe nikoqirët nga Qipro, duke e bërë përvojën edhe më të veçantë.
Ky është një kapitull i ri i suksesit për basketbollin kosovar, që vazhdon të rrisë emrin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.