Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i FBK-së dhe Drejtori i Përfaqësuesve, Adriatik Rraci, është përzgjedhur të marrë pjesë në Programin për liderë strategjikë, program zyrtar i organizuar nga FIBA për herë të parë.
Rraci është një nga 30 të pranuarit nga më shumë se 50 kandidatë nga e gjithë bota. Ky program i pari i këtij lloji është dizajnuar për liderë aktualë dhe në zhvillim, drejtues të federatave, ligave dhe klubeve të basketbollit, si dhe ish-lojtarë që kërkojnë të zhvillojnë aftësi të thella në menaxhimin e sportit dhe tranzicionin e karrierës.
Ky sukses shënon një hap historik për Kosovën dhe Federatën e Basketbollit, duke na vendosur në hartën ndërkombëtare të sportit dhe duke dëshmuar profesionalizmin tonë në menaxhimin e basketbollit. Për basketbollin në vend, ky është një mundësi e jashtëzakonshme për të zhvilluar lidership strategjik, organizim eventesh dhe trajnime që do të përmirësojnë cilësinë dhe ndikimin e sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.