Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka organizuar aktivitetin e radhës në kuadër të kampanjës Her World, Her Rules.
Ky aktivitet është mbajtur për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave.
Eventi shumë i rëndësishëm për basketbollin e femrave u mbajt në Prishtinë, përkatësisht në Shkollën e Gjelbër.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka folur se sa e rëndësishme është që vajzat të merren me basketboll dhe të mos largohen asnjëherë nga ky sport.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe basketbolliste e ish-basketbolliste, por edhe trajnerë për t’i frymëzuar e motivuar vajzat.
Marigona Rushiti, Era Shatri, Besjana Martinaj dhe Agnesa Rrahmani u bën thirrje vajzave të reja që asnjëherë të mos dorëzohen dhe të ndjekin ëndrrat e tyre, ndërkohë trajneri Egzon Uka, përveç mbajtjes së stërvitjes argëtuese, nënvizoi se, basketbolli është i mirë jo vetëm si sport, por edhe shumë i shëndetshëm në jetën e përditshme.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) vazhdon me aktivitete të kampanjës ndërkombëtare Her World, Her Rules, pjesë e programit FIBA Europe Girls’ Program tash e 7 vite me radhë.
Ky projekt unik ka për qëllim promovimin e basketbollit për vajzat nëpërmjet aktiviteteve të veçanta që inspirojnë, motivojnë dhe fuqizojnë brezat e rinj.