Ka filluar në Prishtinë FIBA Europe U14 Get-Together, që për herë të parë po mbahet në vendin tonë.
Ky event shumë i rëndësishëm i basketbollit ndërkombëtar ka mbledhur rreth 60 trajnerë nga vende të ndryshme të Evropës.
Ngjarja do të mbahet deri të dielën, ndërkaq, në ditën e dytë të këtij eventi, më 18 tetor 2025, do të jetë i hapur për trajnerët nga Kosova të gjeneratave të reja.
Hapjen e kësaj ngjarje e ka bërë Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, i cili është shprehur i lumtur, por edhe duke u ndjerë krenar, që një event kaq i madh po mbahet për vendin për herë të parë në vendin tonë.
Kamil Novak, Drejtor Ekzekutiv i FIBA Evropës, theksoi se, tashmë Kosova ka fituar përvojë në organizimin e ngjarjeve evropiane dhe nuk është befasi, që shtëpia e basketbollit botëror, i beson në organizimin e shumë ngjarjeve ndërkombëtare.
Në ditën e parë, Matthias Zollner ka ligjëruar për: Zhvillimi afatgjatë i lojtarëve, ndërsa Nenad Truniq ka ligjëruar për: Planifikimi dhe zbatimi i stërvitjeve në basketboll.
Kjo ngjarje e përvitshme e FIBA Europe synon edukimin e trajnerëve të rinj dhe fuqizimin e gjeneratave të ardhshme të basketbollistëve, duke e vendosur Kosovën në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare sportive.