03/11/2025
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka nënshkruar Deklaratën ndërkombëtare “Brighton Plus Helsinki”, një dokument të rëndësishëm që promovon barazinë gjinore në sport dhe aktivitetet fizike në të gjitha nivelet.
Kjo ngjarje e veçantë është organizuar sot nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), i cili ka nënshkruar këtë deklaratë së bashku me federatat sportive, organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e grave, si dhe universitetet nga vendi.
Deklaratën në emër të Federatës e ka nënshkruar Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, derisa dëshmitare kanë qenë Menaxherja e Projekteve në FBK, Edita Medunjanin, dhe Këshilltarja Ligjore, Enea Hajdari.
Në këtë event të rëndësishëm janë nderuar kampionia olimpike Nora Gjakova, basketbollistja e Kosovës Enisa Kamerolli për kontributin e saj në sportin e femrave, si dhe alpinistja Uta Ibrahimi.
Ngjarja ka pasur në fokus përkushtimin e institucioneve sportive të Kosovës për përfshirje të barabartë të grave dhe vajzave në sport, në përputhje me parimet e Deklaratës, e cila kërkon barazi, përfaqësim të drejtë në udhëheqje, siguri dhe respekt për dinjitetin e çdo sportisteje
Në mesin e të pranishmëve kanë qenë edhe Annamarie Phelps, Kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të “IWG Women and Sport”, si dhe Tarja Krum, Presidente e Komisionit të “ENGSO Equality Within Sport”.
Deklaratë nga Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, znj. Elvira Dushku
“Nënshkrimi i Deklaratës ‘Brighton Plus Helsinki’ përbën një moment të rëndësishëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe për sportin e femrave në vendin tonë.
Si federatë, ne jemi të përkushtuar të promovojmë barazinë gjinore, të krijojmë mundësi të barabarta për vajzat dhe gratë në basketboll dhe të sigurojmë përfaqësim të drejtë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.
Kjo deklaratë na udhëzon që barazia të mos mbetet vetëm parim, por të kthehet në praktikë të përditshme në çdo aktivitet dhe politikë të FBK-së.”
Deklarata “Brighton Plus Helsinki” është miratuar për herë të parë në vitin 2014 në Helsinki, si vazhdimësi e Deklaratës së Brighton të vitit 1994. Dokumenti përcakton parimet për barazi, mundësi të barabarta dhe fuqizim të grave në sport, duke u bërë një udhërrëfyes global për institucionet sportive në mbarë botën.