19/11/2025
Në përputhje të kompetencave të Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të përcaktuara në Statutin e FBK-së, si dhe duke u bazuar në propozimin e Kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu, Bordi i FBK-së më 19.11.2025 ka miratuar si vijon:
Emërohet Bujar Loci në pozitën e Kryetrajnerit të Përfaqësueses A të Meshkujve të Kosovës.
Emërohen Petrit Zeqiri dhe Andin Rashica në pozitën e ndihmëtrajnerëve të Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen kundër Shqipërisë në kuadër të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2029.
Dardanët janë në grup me Shqipërinë dhe Sllovakinë në parakualifikimet për FIBA EuroBasket 2029.
Bujar Loci ka lindur më 5 qershor 1969 në qytetin e Pejës. Ai ka qenë basketbollit i KB Pejës, ku fitoi tri herë titullin, tri herë Kupën dhe një herë Superkupën si basketbollist.
Karrierën e vazhdoi si trajner po ashtu te KB Peja, duke qenë kryetrajner e më pas edhe ndihmëstrajner te Peja.
Loci me sukses ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën e Rahovecin, derisa ka qenë trajner edhe te KBF Penza.
Për shumë vjet është ndihmëstrajner te Kosova, kurse nga edicioni i kaluar është trajner në Grapeland (Rahoveci 029), duke e udhëhequr nga Liga e Parë në ProCredit Superligës, ku është trajneri i vetëm vendor në elitë.
Kujtojmë se, Bujar Loci, ka qenë përzgjedhës i Kosovës në vitin 2005, duke udhëhequr Dardanët në turneun në Aleksandri, duke luajtur ndaj Egjiptit dhe Rumanisë.
Përzgjedhës i fundit ishte francezi Jean-Denys Choulet, i cili ishte në krye të Dardanëve në kualifikueset për FIBA Kupën e Botës 2027, derisa me marrëveshje të dyanshme është ndërprerë kontrata e nënshkruar në nëntor të vitit 2024.