KOSOVA PËSON NGA SLLOVAKIA

KOSOVA PËSON NGA SLLOVAKIA

26/11/2020

Kosova ka pësuar humbje nga Sllovakia me rezultat 91:67 (21:9, 21:20, 20:13, 29:25), në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023. Mungesa e disa basketbollistëve te Dardanët dhe shtatëlartësia e kundërshtarëve, bëri që Kosova të pësojë humbjen e parë në dritaren e parë të parakualifikimeve.

Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke hyrë në një seri prej 11:0. Por, Dardanët u kundërpërgjigjën me gjashtë pikë radhazi për 11:6. Më pas sllovakët kontrolluan lojën dhe përfunduan çerekun e parë në të mirë të tyre 21:9. Në periudhën e dytë zhvillohet lojë e baraspeshuar, me Dardanët, që kësaj radhe u treguan ‘arrë e fortë’ për sllovakët. Kjo pjesë përfundoi 21:20, derisa rezultati pas pjesës së parë ishte 42:29.

Pjesën e dytë e nisi shumë mirë Kosova me një epërsi 4:9, por vendasit përgjigjën me tetë pikë radhazi. Më pas zhvillohet një lojë e barabartë, por në fund të periudhës së tretë kishte një rënie te Kosova dhe rezultati në semafor pas 30 minutave ishte 62:42. 10 minutat e fundit ishin vetëm formalitet, ku përkundër disa gjuajtjeve të sakta për tri pikë të Kosovës, Dardanët nuk arritën të bëjnë më shumë dhe pësuan në fund 91:67.  

Te Sllovakia më i miri ishte Vladimir Brodziansky me 26 pikë e 12 kërcime, kurse te Kosova më të dalluarit ishin Drilon Hajrizi me 17 pikë, 5 kërcime, 6 asistime, Erjon Kastrati me 14 pikë dhe Fisnik Rugova me 11 pikë e 7 kërcime.

Në ndeshjen tjetër të Grupit B, Islanda ka mundur Luksemburgun 90:76.

Sllovakia, Islanda dhe Kosova kanë grumbulluar nga pesë pikë, kurse Luksemburgu ndodhet e fundit me tri pikë. Ndeshja e ardhshme për Kosovën do të jetë më 28 nëntor, nga ora 16:00 me Islandën, takim që po ashtu do të zhvillohet në Bratislavë.

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners