Kosova më 26 Nëntor do të përballet me Sllovakinë, kurse më 28 Nëntor me Islandën, në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.
Basketbollistët e Kosovës nga dita e mërkurë kanë qenë në karantinë dhe kanë stërvitur së bashku, derisa të hënën do të udhëtojnë drejt Sllovakisë.
Një nga lojtarët që është ftuar për herë të parë është Musab Mala i Bashkimit, që në këtë edicion ka treguar lojëra shumë të mirë për skuadrën prizrenase, duke bërë që të marrë ftesë nga Christos Marmarinos.
Mala ka folur për ndjenjën për të luajtur për Kosovën. “Për mua është një ndjenjë e veçantë dhe përgjegjësi e madhe të luaj për Kosovës. Jam shumë krenar që më është dhënë rasti kontribuoj për Kosovën. Shpresoj që kontributi im sadopak të jetë frytdhënës për rezultate pozitive”, është shprehur Mala për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai ka folur edhe për rrjedhën e përgatitjeve dhe sfidat e Dardanëve. “Ne kemi dhënë maksimumin në stërvitje dhe besoj se do të japim maksimumin edhe në parket në ndeshjet ndaj Sllovakisë dhe Islandës. Angazhimi ynë nuk do të mungoj në të dyja ndeshjet dhe të gjithë lojtarët do të japin më të mirën nga vetja në këto dy sfida”, ka shtuar tutje Mala.
Kosova është lidere e grupit, me dy fitore që i arriti në muajin shkurt të këtij viti. Dardanët shënuan fitore ndaj Islandës 80:78 në Prishtinë dhe si mysafirë mposhtën Luksemburgun 80:84.
Sfidat e fundit në këtë grup do të zhvillohen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ku Kosova do të ndeshet me Sllovakinë dhe Luksemburgun.