Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjitha klubet anëtare të saj se bazuar në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 06.11.2020 prej sot, të shtunën e të dielën nuk do të zhvillohen ndeshjet e basketbollit të parapara me kalendarët e garave, më saktësisht nuk do të zhvillohen aktivitetet sportive në palestra.
Qeveria e Republikës së Kosovës të premten e ka publikuar vendimin që ndalon veprimtarinë e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë në tërë territorin e Kosovës nga sot në ora 20:00 e deri të hënën në ora 05:00.
Në pikën 2 të Vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës thuhet: “Pezullohen paragrafet 7,8,11,12,13,14,20 e vendimit të qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas dispozitivit 1 të këtij vendimi”.
Pra, Vendimi i Qeverisë së Kosovës pezullon edhe pikën 12 të një vendimi të 1 nëntorit, që thotë: “Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuar në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive”.
Federata e Basketbollit e Kosovës njofton të gjitha klubet anëtare të saj, si dhe gjithë komunitetin e basketbollit e opinionin e gjerë se në bashkëpunim me institucionet e vendit tonë në ditët në vazhdim do të bëjë të ditur ecurinë e garave të saj.