Krerët e lartë të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe ata të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë zhvilluar një takim pune të mërkurën në Durrës.
Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i punëve të bëra në vitin e parë të Ligës Unike dhe bashkërendimi i aktiviteteve në nivel të Federatave për në edicionin e ri të garave të kësaj Lige.
Të dyja Federatat u dakorduan që ti propozojnë Bordit Drejtues të Ligës Unike të vazhdohet me përgatitjet për edicionin e ri të garave në konkurrencën e meshkujve me nga 4 skuadra nga Shqipëria dhe 4 nga Kosova, derisa FSHB dhe FBK po ashtu u dakorduan që ti propozojnë Bordit Drejtues të Ligës që në edicionin 2021/22 të fillohet edhe me Ligën Unike në konkurrencën e femrave me pjesëmarrjen e 3 skuadrave nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova.
Në këtë takim pune nga FSHB morën pjesë Presidenti, Avni Ponari dhe Sekretari i Përgjithshëm, Korab Llazani, kurse nga FBK morën pjesë Kryetari Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, si dhe Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi.
Krerët e FBK-së patën rastin të ndjekin nga afër edhe një pjesë të ndeshjes së katërt finale të elitës së basketbollit shqiptar, ndërmjet Shoqata Teuta Basket dhe Goga Basket, ku kampion i Superligës së Meshkujve është shpallur mbrëmë ekipi i Teuta Basket.
Duhet theksuar se në javën e ardhshme Bordi Drejtues i Ligës Unike do ta mbajë mbledhjen e radhës, ku edhe do të përcaktohen të gjitha modalitetet e garave në të dyja konkurrencat për në edicionin e ardhshëm.
Gjithashtu në javët në vazhdim pritet të zyrtarizohet edhe sponsori gjeneral i Ligës Unike, si dhe sponsorët e tjerë të kësaj lige në të dyja konkurrencat që do ti japin hijeshi kësaj gare të shumëpritur nga të dyja anët e kufirit.