Kosova A në konkurrencën e femrave po vazhdon përgatitjet dy herë në ditë para debutimit në garat ndërkombëtare.
Në stërvitjen e sotme i kanë vizituar për t’i motivuar, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova dhe Menaxherja e Zyrës Ekzekutive, Artina Hasani.
Fetahu është shprehur i lumtur që është formuar Përfaqësuesja A e femrave dhe për herë të parë do të garojë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla. Kryetari i FBK-së ka theksuar se vashat duhet të ndihen krenare që bartin fanellën e Kosovës dhe sigurisht se, do të japin më të mirën e tyre në garat ndërkombëtare.
I pari i basketbollit të Kosovës shtoi se FBK-ja do të bëjë çmos që të përkrahë Përfaqësuesen A të femrave në të gjitha format që është e mundur, për t’i krijuar kushte optimale.
Kjo është hera e parë që Përfaqësuesja A e Femrave do të merr pjesë në gara zyrtare të FIBA-s, më saktësisht në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla që do të mbahet në Nicosia të Qipros prej 20 deri më 25 Korrik 2021.
Kosova është në Grupin B së bashku me Qipron dhe Luksemburgun, kurse në Grupin A janë: Norvegjia, Irlanda, Malta dhe Andorra.